Përmes avokates, Alban Vila ka kundërshtuar vendimin duke e çuar çështjen në Apel. Ai kërkon dëmshpërblim pasi nga aksidenti që pësoi, ka humbur aftësitë për punë.
Referuar dokumenteve, edhe vetë i dëmtuari ka deklaruar në seancën e parë gjyqësore se aksidenti ka ndodhur nga pakujdesia. Por, në këtë kohë ai nuk e dinte se në vendin e ngjarjes ndodhej edhe një vinç, i cili lëvizi skelën duke e rrëzuar prej saj. Gjendja e komës i kishte vështirësuar kujtesën. Detajet e sakta të ngjarjes, ai i mësoi më vonë nga punëtorë të tjerë dëshmitarë të cilët siç treguam më sipër, nuk janë marrë në pyetje nga policia gjatë hetimeve. Vila ka deklaruar se nuk e mbante mend ngjarjen, por më pas është informuar dhe rezulton se skela është goditur nga një vinç.
Aktualisht çështja ndodhet ne apel ku është kërkuar ndryshimi i vendimit dhe kthimin e akteve prokurorisë për hetime të plota. Nga aktet që ndodhen në dosje drejtuesi teknik është ripyetur pasi ka mospërputhje me deklaratën e saldatorit Edmir Aga, ndërkohë që i dëmtuari Alban Vila nuk është pyetur më pavarësisht gjendjes.
Sipas Albanit, ditën e ngjarjes ai ka qenë i hipur në skelë për të kryer saldimet dhe kur ka lëvizur skela është hedhur nga lartësia 5-7 metra. Ndërkohë drejtuesi teknik kur është ripyetur ka deklaruar se saldimi i profileve metalike bëhej në tokë dhe në informacionin për referimin e ngjarjes citohet që nuk ka skelë në vendngjarje.
Bazuar në dëmtimet shëndetësore të Alban Vilës të përcaktuara në aktin e ekspertimit mjeko ligjor rezulton se nuk ka mundësi që të shkaktohen dëmtime aq të mëdha ne rast se i dëmtuari do kishte qenë duke punuar në tokë, dhe është penguar siç pretendon firma.
Në këtë ngjarje dyshohet se nuk kemi të bëjmë vetëm me një aksident në punë, por edhe me prishje të vendit të ngjarjes, fshehje të provave, dhe deklaratë të rremë. Këto veprime, dyshohet se janë kryer në bashkëpunim.
Top Channel