Një familje që zotëronte një shtëpi 3-katëshe në Tiranë është në qiell të hapur.
IKMT-ja ia prishi me arsyetimin se kalon Unaza e Madhe. Fiks Fare vërtetoi se institucionet shtetërore rishikuan projektin dhe vendosën që t’ia prishnin. VKM-ja doli në 20 dhjetor 2023 dhe u publikua në 8 janar 2024. IKMT-ja i la një letër te porta familjes në datë 12 janar për t’ia prishur më 17 janar. Më pas, Inspektoriati mori vendim për t’ia prishur më 24 janar, pa lajmëruar askënd!
Në redaksinë e emisionit investigativ u ankua z. Latif Saraçi. Në momentin që grupi i Fiksit shkoi te Kodra e Priftit në Tiranë, ku ishte edhe banesa e denoncuesit, u ndesh me dhjetëra punonjës të IKMT-së. Sipas denoncuesit, inspektorët e IKMT-së i kanë lënë vetëm një njoftim, madje ia kanë lënë të porta. Pa asnjë masë tjetër, punonjësit vendosën që t’ia prishnin.
“Kjo është banesa, është marrë certifikata para 8 viteve. E kam me pronësi me të gjitha. I ka rënë Unaza siç thonë. Ka 2 vjet që merren me këtë Unazën. Kurrë s’më kanë thënë hajde se do të prishet shtëpia. Për herë të parë jemi njohur kur kanë vendosur një njoftim këtu më 12 apo 13 janar 2024. Sot pas 10 ditësh po më prishin banesën pa më dhënë as para, as banesë tjetër”, thotë denoncuesi.
Më tej tregon se ka mësuar se ia kanë vlerësuar me 600 euro m2. “Ky është çmimi i tregut? Po hajt mo, po t’më lënë afat të heq pajisjet. Siç po e shikoni i kam lënë në oborr. Të hënën më thanë të premte, dje më thanë gjasmë të kemi marrë në telefon po mua s’më ka rënë telefoni për sot. T’më linin 10 ditë, ku t’i fus materialet. Në bodrum të komshiut do t’i fus, shyqyr që më lejoi” thotë ai.
Latifi tregon se shtëpinë e ka ndërtuar nga viti 1998 deri në në 2013, ku ka përfunduar. “Kam punuar refugjat. Gjithë ky mund ka shkuar 0. Pa llogaritur stresin. Bashkëshortja pa punë. Këtu jetojmë veti i pestë. Dy djem, vajza dhe unë me gruan. Është mundi i një jetë të tërë. Ja si vjen tersllëku. Mos më dhënë njoftim që ka 2 vjet që flitet për këtë punë. Hiç, hiç dhe vijnë bam, bam. Njoftimi më është lënë në derë, me ngjitje”, pohon ai.
Një familjar tjetër thotë se pronari i shtëpisë punoi 14 vite punë krahu në Kazakistan. “Dhe kur vjen puna s’na japin as sot vendim për prishje. Më kanë thënë për VKM, po s’dimë më tepër. T’na lënë afat të gjejmë shtëpi me qira. Jo kështu! Asnjë lloj njoftimi. Vjen për 3 ditë m’i hiq materialet. Si është bërë sot, s’futesh dot me qira. Materialet janë të 3 kateve, me dhoma gjumi, kuzhinë. S’e kuptoj si është. Të gjejmë një shtëpi me qira, ku do fle sonte?”, thotë ai, teksa tregon se për të prishur vijnë një duzinë me punonjës.
Pas ankesës, gazetarët e Fiks Fare pyesin inspektorët e IKMT-së nëse kanë apo jo urdhër për të prishur banesën. Në terren janë mbi 30 punonjës të IKMT-së, por askush nuk identifikohet si drejtues. Gazetarët e Fiks Fare i kërkojnë urdhrin e prishjes së kësaj shtëpie, në çfarë date është marrë. Cili drejtues e ka marrë dhe detaje të tjera. Asnjë nuk përgjigjet! Një punonjës i adreson gazetarët te një inspektor, por edhe ai thotë se “s’jam i autorizuar që t’ju informoj dhe duhet të shkoni te drejtoria qendrore e IKMT-së”. Fiksi e pyet nëse të gjithë këta inspektorë që kanë ardhur në terren kanë apo jo një vendim për të prishur banesën e z. Saraçi. Asnjë prej tyre nuk ka një vendim të tillë.
Gazetarët ndjekin inspektorin që e adresuan si shef, por ai largohet dhe nuk dëshiron që të japë shpjegime. E pyesin disa herë nëse e ka vendimin për prishje dhe kush e ka dhënë? Kur është marrë? A kanë këta inspektorë vendim se çfarë do të prishin? Ai largohet dhe tenton që t’i shpëtojë kamerës.
Fiks Fare mëson se IKMT-ja ka shkuar në atë zonë me një listë me banesat që duhet të prishen. Është vetëm një dokument, i dalë në datën 22 janar 2024, i lëshuar nga Drejtoria e Zbatimit të Vendimeve. Dokumenti emërtohet “plani i prishjeve për periudhën 22-26 janar 2024”. Në listë është edhe emri i z. Latif Saraçi, ku shkruan banesë dy katëshe. Në fakt, në terren është banesë 3 katëshe dhe jo 2 si në këtë dokument. Adresa është loti i katërt te Kodra e Priftit. Numri i vendimit është “VKM 748 e datës 20 dhjetor 2023”. Data e ndërhyrjes është 24 janar 2024.
Ndërkohë, nga verifikimet e Fiks Fare, rezulton se vendimi është marrë në datën 20 dhjetor 2023, por është publikuar vetëm në datën 8 janar 2024. Ndërkohë, 4 ditë më vonë në banesën e z. Latif Saraçi është vendosur një njoftim nga IKMT-ja, ku shkruhet se është në zbatim të VKM-ja me numër 748. Kjo VKM ka emërtesë “për shpronësimin për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor ‘Rishikim i projektit për segmentin rrugor të vazhdimit të Unazës së Madhe Tiranë nga sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri dhe Rikualifikimi i Unazës Lindore për lotet 4, 5, 6”.
Pra bëhet fjalë për një rishikim të projektit. Banorët e zonës kanë thënë gjithmonë se projekti ka pësuar ndryshime të një pas njëshme, pasi disa pronarë të banesave që kanë pasur lidhje të forta kanë kundërshtuar dhe kanë influencuar për të ndryshuar gjurmën.
Në dokument shkruhet se objekti që ju posedoni është shpronësuar, pasi preket nga realizimi për interes publik të projektit. Më tej vijon se “sa më sipër kërkojmë nga ana juaj brenda datës 17 janar 2024 të merren masat dhe të bëhet lirimi i objektit”. Madje, po në datë 17 do të ndërhyhet. Në fund, janë emrat dhe firmat e dy inspektorëve. Në anën tjetër shkruhet se “Latif dhe Anife Saraçi, u la në objekt”.
Pra, një vendim kaq i rëndësishëm për prishjen e banesës “u la në objekt”. Kryefamiljari nuk është lajmëruar që të kishte mundësi të merrte masa. Qoftë për gjetjen e një banesë me qira dhe për materialet. Në botë, edhe në ato vende diktatoriale, mediat kanë pasqyruar video dhe foto sesi familjet nuk kanë pranuar të largohen nga banesa. Madje, projekti është zbatuar, por pa prekur pronën e tyre, duke i lënë banesat në formë “xhepi”. Megjithatë, në vendin tonë, të prishet prona private për disa ditë. Pa asnjë lajmërim, pavarësisht se në Kushtetutë është shkruar mjaft qartë se “pas jetës, prona është e dyta që mbrohet”.
Top Channel