“U shkel e drejta për informim”/ Gjykata Kushtetuese jep vendimin për Skavicën, kërkon përfshirjen e banorëve në diskutim

30/01/2024 16:36

Gjatë fazës së parë për hidrocentralin e Skavicës, autoritetet gabuan duke mos i përfshirë banorët, por ky është një gabim i korrigjueshëm, sipas Gjykatës Kushtetuese.

Me këtë kusht, Gjykata Kushtetuese u tërheq vëmendjen institucioneve përkatëse se gjatë zbatimit të fazës numër 1 për Skavicën dhe deri në përfundim të procedurave, duhet të përmbushin detyrimin e komunikimit dhe informimit të komunitetit ku mund të zbatohet ky projekt hidroenergjitik.

Veç kësaj, kanë detyrim ti përfshijnë banorët e zonës midis Dibrës dhe Kukësit dhe t’i vendosin në dijeni me çdo etapë. Në vendimin e gjykatës kushtetuese theksohet se përsa kohë ligji gjendet në fazën e parë të zbatimit të tij shkeljet e konstatuara para se ligji të miratohej, mund të riparohen përmes veprimeve konkrete të vendimmarrjes dhe të informacionit. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese konstaton se gjatë procesit nuk u provua që Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave, para miratimit të ligjit të kenë informuar mbi gjendjen e mjedisit dhe për mbrojtjen e tij, nuk kanë kryer procese konsultimi me publikun dhe nuk kanë garantuar pjesëmarrje efektive. Kjo do ‘ti kishte lënë të gjitha mundësitë e hapura, që banorët e zonës së ndikuar të merrnin pjesë.

Gjykata Kushtetuese vlerëson se është shkelur konventa ndërkombëtare e Arhusit dhe neni 56 i kushtetutës, të dyja këto; në një frymë detyrojnë shtetin që sa herë ka investim me ndikim në mjedis të informojnë komunitetin e ndikuar .

Gjyqtarët kushtetues urdhërojnë që autoritetet publike ta riparojnë shkeljen dhe më tej të merren parasysh rezultatet e procesit të informimit për mbrojtjen e mjedisit për aq sa është e mundur. Gjykata kushtetuese u investua nga padia e tre organizatave që kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit duke kërkuar shfuqizimin e ligjit që parashikon realizimin e projektit të Skavicës përmes dy fazave, ku tek e dyta kalohet vetëm mbasi përmbushen kushtet për hapin numër një.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA