Kryeministri Edi Rama, krahas reformimit të sistemit të pagave në arsim, ka tentuar të “dekurajoi” të rinjtë për t’u larguar nga Shqipëria.
I vetëdijshëm për investimet e ‘pa mëshirshme’ të vendeve Perëndimore për të tërhequr forcë punëtore përmes ofertave të ‘majme’, Rama gjatë fjalës në aktivitetin “Programi Kombëtar i Zhvillimit Profesional të Mësuesve” u tha të rinjve të llogarisin mirë kostot përpara se të tërhiqen pas mundësive të tilla.
Sipas Ramës, nuk mund të shkohet në Gjermani për një pagë më të mirë dhe nga ana tjetër të pish kafe si “lëng gështenje”, madje edhe të presësh biletë 5 euro për të shkuar për ta pirë.
“Pa diskutim ADF-në e kemi një partner të rëndësishëm, shpresoj që ADF-ja, që ka bërë me ne disa partneritet me sukses të marrë shembull nga qeveria dhe të hapë pak më shumë portofolin sepse kanë shumë akoma në atë portofolin e tyre.
Duke parë që qeveria shqiptare po bën ekstra sforco që njerëzit tanë të kenë paga dinjitoze dhe në një moment të caktuar mos kenë diskutim mes vetit të rrime këtu apo të ikim…pavarësisht se pagat kur i shikon në pamje të parë duken me diferencë të madhe, por kur shkon pak me thellë, sesa pjesë të pagës mësuesi këtu ja lë shtetit dhe sa pjesë të pagës mësuesi andej ja lë shtetit ndryshon ekuacioni.
Në fund të të gjitha llogarive unë fus kafen. Të shkosh në Gjermani të punosh për një pagë më të lartë dhe të pish atë kafen që është si lëng gështenje dhe ta pish vetëm dhe për ta pirë të marrësh biletën 5 euro, ndërsa këtu kafen mund ta pish në diell, madje edhe në ditë punë është një llogari që duhet bërë dhe përtej shakasë që në këtë rast është më shumë se të vërtetës, i rikthehem fjalisë për të thënë se ADF me siguri, herët ose vonë, do ta zgjerojnë pak portofolin e tyre”, tha Rama.
Top Channel