Megaoperacioni “Tempulli 2″/ Shpërndanin heroinë dhe kokainë, vihen në pranga katër persona në Elbasan

30/01/2024 09:21

Katër persona kanë rënë në pranga në Elbasan gjatë megaoperacionit “Tempulli 2”.

Tre prej të arrestuarve janë me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e narkotikëve dhe të vjedhjes. Sipas policisë, një person është vënë nën hetim në gjendje të lirë, i përfshirë në këtë veprimtari të jashtëligjshme.

“Si rezultat i kontrolleve në të gjithë qarkun dhe i administrimit të shpejtë të informacioneve nga inteligjenca policore, të siguruara në vijim të megaoperacionit antidrog të koduar “Tempulli 2”, specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës Operacionale dhe ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kanë goditur 2 raste të shpërndarjes së dozave të lëndëve narkotike në qytetin e Elbasanit”, sipas policisë.

Në lagjen “Skenderbej”, shërbimet e Forcës Operacionale konstatuan shtetasit E. P., 30 vjeç, M. B., 33 vjeç dhe E. K., 41 vjeç, të tre banues në Elbasan, të cilëve gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në ambientin ku ata po qëndronin, iu gjetën doza të lëndëve narkotike heroinë dhe kokainë.

Gjithashtu, po për këtë rast u referuan materialet në prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin L. Xh., 33 vjeç, banues në Elbasan, pasi dyshohet i përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Në lagjen “Partizani”, gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në automjetin e shtetasit G. T., 36 vjeç, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” gjetën doza të lëndëve narkotike kokainë dhe heroinë.

Në vijim të veprimeve për këto raste u arrestuan në flagrancë shtetasit E. P., 30 vjeç, E. K., 41 vjeç dhe G. T., 36 vjeç, me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e narkotikëve dhe të vjedhjes, dhe M. B., 33 vjeç.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ata pasi e siguronin lëndën narkotike, e ndanin në doza, të cilat i shitnin në afërsi të shkollave dhe në ambiente të ndryshme të qytetit të Elbasanit.

Dozat e lëndëve narkotike heroinë dhe kokainë dhe 1 automjet që dyshohej se përdorej për këtë veprimtari kriminale u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Sipas policisë, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA