Nga ky vit akademik, Bashkia e Tiranës do të japë tre bursa studimi për studentët shqiptarë që do të pranohen në Kolegjin e Europës.
Kryebashkiaku Erion Veliaj dhe Rektorja e Kolegjit të Europës, Federica Mogherini, nënshkruan marrëveshjen për mbështetjen financiare për studentët shqiptarë.
Veliaj u shpreh se aplikimet janë hapur dhe se interesi i lartë nga 50 vende të ndryshme, na vë para një përgjegjësie edhe më të madhe. “Jam shumë i lumtur sot që Tirana nuk mban vetëm fjalime, por bën edhe punë konkrete. Sot nënshkruam Memorandumin e Bashkëpunimit për tre bursa. Është vetëm fillimi, sepse donim që t’i jepnim edhe një dimension të qyteteve këtij bashkëpunimi që kemi me Kolegjin e Evropës. Kolegji i Evropës, sigurisht që ka një pikë të madhe graviteti në Tiranë dhe besoj se fakti që kemi studentë nga 50 vende të ndryshme, mbi 200 e ca aplikime për vetëm 31 vende, na vë vërtet para një përgjegjësie. Fakti që njerëzit janë përpjekur dhe e kanë marrë kaq seriozisht hapjen e këtij kampusi na bën jo vetëm të përkushtohemi në infrastrukturë, siç është zyra e Kolegjit të Evropës tek Piramida apo kampusi i përkohshëm tek “Qyteti Studenti”, salla “Liria”, por edhe të jemi gjithashtu bashkëpunues me financat tona”, tha Veliaj.
Rektorja Mogherini u shpreh se kryeqyteti shqiptar ofron shumë element për të mikpritur studentë edhe nga vendet e tjera. “Është një përputhje perfekte fakti që Tirana merr sot Presidencën e “B-40”-ës. Është një kornizë e shkëlqyer e memorandumit që sapo firmosëm, sepse ky është një rast perfekt për qytetin, për të rritur edhe më shumë rrjetin e tij ndërkombëtar, është realisht në koordinatat rajonale dhe kjo është ajo çka Tirana do të përjetojë edhe më shumë me hapjen e Kampusit të Kolegjit të Europës. Do të sjellim studentë nga të gjitha vendet e Europës. Qyteti, pikë së pari ofron shumë elementë tërheqës. Shohim që kanë aplikuar shumë studentë dhe mendoj se kjo është për arsye akademike, por jam e sigurt që ndodh kështu edhe për shkak të bukurisë së qytetit, të motit, të ushqimit, të jetës kulturore, mjedisit kumbues që ofron qyteti. Jam e sigurt se studentët tanë, fakulteti ynë, stafi ynë, do të përfitojë jashtëzakonisht, duke qenë i integruar në qytet”, tha Mogherini.
Ajo shtoi se kjo mbështetje për rritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore është edhe një investim i shkëlqyer për qytetet. “Investimi, informimi i gjeneratës së re e cila do të zhvillojë njohuritë sesi të mundësojë integrimin europian dhe integrimin rajonal, do t’ju mundësojë të keni më shumë njerëz të mirëkualifikuar në qytet, të cilët do të punojnë në përditshmëri dhe që do të jenë të lidhur në një rrjet shumë më të gjerë alumni në qytete të ndryshme, në rajon dhe më gjerë, të cilët do të mbështesin njeri-tjetrin në frymën e solidaritetit. Jeni duke bërë një investim të shkëlqyer në qytetin tuaj, te njerëzit tuaj dhe jam shumë krenare që kolegji do të mund të kontribuojë për këtë”, u shpreh Mogherini.
Kreu i Bashkisë siguroi se janë marrë të gjithë masat e nevojshme për të mikpritur studentët që do të vijnë në Tiranë për të ndjekur Kolegjin e Europës. “Ne do të jemi gati me një kampus të përkohshëm në “Qytetin Studenti”. Kampusi i përkohshëm do të zgjasë ndoshta 2-3 vite, sa të bëhet kampusi përfundimtar në zonën e ish terminalit të autobusëve”, tha Veliaj. Ai shtoi se edhe kryetarët e bashkive të rajonit kanë shfaqur një interesim të lartë për përgatitjen e stafeve të tyre në Kolegjin e Evropës në Tiranë për t’u përshtatur me sfidat e integrimit.
Kampusi i Kolegjit të Europës në Tiranë do të ofrojë një program akademik të standarde europiane për studentët dhe profesionistët nga Shqipëria, rajoni i Ballkanit Perëndimor, Bashkimi Europian, dhe më gjerë dhe do të hapë ciklin e studimeve duke filluar nga ky vit akademik. Ai u përurua më 16 tetor, ditën që në Tiranë u mbajt edhe Samiti i Procesit të Berlinit, ku e pranishme ishte edhe presidentja e Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen.
Top Channel