Një ditë para marrjes së Presidencës së Rrjetit më të madh të qyteteve ballkanike, B-40, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe kryetarja e Bashkisë Sarajevë, Benjamina Karić nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për zhvillimin e marrëdhënieve kulturore e ekonomike mes dy qyteteve.
Veliaj tha se Sarajeva dhe Tirana kanë se çfarë të mësojnë nga njëra-tjetra. Ai nënvizoi se Tirana ka njohur një transformim të madh, duke u shndërruar në një qytet kozmopolitan.
“Historia e Tiranës është një sinonim i historisë së Sarajevës. Tirana ndoshta nuk e kishte rrethimin intensiv, si Sarajeva e 94-s, por Tirana ishte rrethuar nga një sistem mbytës për vite të tëra, gjatë kohës së komunizmit, që u pasua nga një tranzicion kaotik i viteve ’90, me ndërtime pa leje dhe rrëmujë. Sot, krejt papritur, është qyteti që ka transformimin ndoshta më të madh në rajonin tonë, duke u shndërruar në një qytet kozmopolitan. Ndaj, gjatë Presidencës tonë të B-40ës, para se t’ia kalojmë stafetën Sarajevës vitin tjetër, dua shumë që të mësojmë sidomos te të rinjtë”, tha ai.
Veliaj vlerësoi dhe përpjekjet e Sarajevës për të lënë pas vitet e vështira dhe për të parë nga e ardhmja. “Është një kënaqësi e jashtëzakonshme që mikesha ime, kryetarja fantastike e Bashkisë së Sarajevës, është këtu sot për të hapur Presidencën e B-40. Djemtë dhe vajzat tona ndoshta nuk do i dinë të gjitha detajet e kohëve të vështira, por duhet ta dinë historinë, nga ka ardhur dikush nga Sarajeva në Tiranë, çfarë vështirësish ka pasur ai sistem apo ajo luftë, për t’u bërë më të mirë, për t’u siguruar që brezi i ri nuk bën gabimet e brezave të mëparshëm”, deklaroi ai.
Kryetarja e Bashkisë së Sarajevës, Benjamina Karić u shpreh se dy qytetet tani janë më të afërta se kurdoherë.
“Është kënaqësi të jem këtu në Tiranë. Ne jemi qytete të së ardhmes, qytete të lidhura me të ardhmen dhe me të rinjtë tanë. Ne ju presim në Sarajevë për të krijuar mundësi të reja dhe rrugë të reja bashkëpunimi për dy qytetet tona. Sarajeva dhe Tirana nuk janë vetëm qytete të binjakëzuar, por jemi edhe qytete që jemi shumë të afërt nga traditat tona të bukura, njerëzit e mirë dhe unë mendoj se kjo është vlera jonë më e madhe. Ndaj, le të krijojmë mundësi të reja dhe le të krijojmë një të ardhme të re së bashku”, deklaroi ajo.
Në një takim të veçantë, kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj priti sot edhe kryetarin e Bashkisë së Sofjes, Vassil Terziev dhe kryetaren e Podgoricës, Olivera Injac, me të cilët u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit dhe forcimin e lidhjeve miqësore.
Top Channel