Fermerët francezë janë duke zhvendosur me qindra traktorë për bllokadën e paralajmëruar të rrugëve kryesore drejt Parisit.
Lëvizje të ngjashme priten në të gjithë vendin, si pjesë e një vale protestash kundër rënies së të ardhurave, si rritjes së burokracisë dhe konkurrencës nga importet. Fermerët thonë se qëllimi i tyre është të ndalojnë dërgesat e ushqimit në supermarkete.
“Sa kohë do të na duhet të bllokojmë Parisin? Mendoj 24 orë, jam i bindur për këtë. Megjithatë kemi kohë për këtë punë. Shpresojmë që sakaq kryeministri të marrë vendimet e duhura për mbijetesën e fermerëve”, u shpreh José Perez, drejtues i Rural Coordination of Lot-et-Garonne.
Protesta të ngjashme janë zhvilluar edhe në Gjermani, Belgjikë, Holandë dhe në Europën Lindore. Autoritetet franceze thonë se 15,000 policë janë mobilizuar për të parandaluar hyrjen e traktorëve në Paris dhe qytete të tjera të mëdha. Siç tha një prej protestave për BBC, qëllimi i këtij aksioni është që Parisi të mbetet pa furnizime dhe e gjithë Franca, praktikisht, të paralizohet, në mënyrë që mbi qeverinë të ushtrohet kështu presion maksimal.
Fermerët e vegjël thonë se ata varen shumë nga çmimet me të cilat shesin produktet e tyre për të siguruar jetesën, por vitet e fundit kostot e prodhimit janë rritur, ndërsa çmimet jo. Ata pretendojnë rritjen e çmimit të produkteve të tyre dhe ndërprerjen e marrëveshjeve të tregtisë së lirë.
Top Channel