Në Fier më mirë të mos sëmuresh sepse autoambulancat e qytetit nuk të ofrojnë asgjë, madje më e lehtë është ta humbësh jetën në to.
Fiks Fare pas një denoncimi që u bë nga vetë drejtuesit e këtyre mjeteve udhëtoi drejt Fierit për të parë gjendjen e autoambulancave. Por ato mund të quhen gjithçka tjetër, përveçse autoambulanca.
Të amortizuara, pa ngrohje brenda dhe mbi të gjitha pa aparaturat kryesore për shpëtimin e jetës siç është defibrilatori apo oksigjeni. Pra duke mos përmbushur asnjë kusht. Përveç kushteve jashtëzakonisht të këqija të autoambulancave shoferët u ankuan për pagat e tyre si dhe statusin e tyre. Ata quhen shoferë në sektorin e shërbimeve mbështetëse. ”
Trajtohemi si shoferë mbështetës sikur transportojmë perime e jo pacientë” shprehet njëri prej tyre. Ndërkohe që statusi i tyre është i njëjtë me atë të infermierit si dhe shoferi i autoambulancës.Ata ankohen edhe për grafikun e tyre në punë.
Pas ankesës së tyre shoferët takojnë edhe përgjegjësen e cila u thotë se këto mjete kanë e me to do punojnë. Kurse përsa i përket grafikut përgjegjësja pohon se atë e bën drejtoresha.
Pyetjes së shoferit se autoambulanca që drejton nuk ngroh madje nuk pastron as xhamin, përgjegjësja i thotë” mbaje makinën ndezur të ngrohet”. Përsa i përket statusit të tyre , përgjegjësja pohon se janë me emërtimin shoferë autoambulance, por kur ky i fundit i kërkon shkresën e ministrisë , përgjegjësja nuk e gjen dot. Shoferi në diskutim e sipër i thotë ” po për çfarë je këtu, vetëm për të ngrohur vendin?”. Aty përgjegjësja harron edhe edukatën duke iu kthyer ” Mua mos më përmend by… se nuk ma përmend burri im e jo ti”.
Fiksi gjithashtu u interesua edhe pranë Drejtorisë së Spitalit Fier por që kjo e fundit nuk ishte aty sipas sekretares së saj.
Gazetarja e Fiksit iu drejtua me një mesazh në telefon drejtoreshës, por sërish nuk mori përgjigje.
Top Channel