BBC jehonë vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë: Drita jeshile për marrëveshjen e emigracionit me Italinë

29/01/2024 22:33

“Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka miratuar një marrëveshje të diskutueshme për dërgimin e azilkërkuesve që ndodhen në Itali drejt territoreve shqiptare”, kështu shkruan BBC në raportimin e saj.

Sipas marrëveshjes, qeveria italiane do të ndërtojë dy qendra në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Gjadër të Lezhës, për të përpunuar 36,000 kërkesa tënjerëzve që shpresojnë të arrijnë në Itali çdo vit.

Marrëveshja tani do të duhet të ratifikohet nga parlamenti shqiptar. Megjithatë, BBC shkruan se ka gjasa të kalojë lehtësisht pasi kryeministri Edi Rama ka një shumicë të padiskutueshme.

Sipas marrëveshjes, rreth 3,000 njerëz në muaj që tentojnë të arrijnë në Itali nga deti do të ndalohen në dy qendra pritjeje pranë portit verilindor shqiptar të Shëngjinit, ndërsa kërkesat e tyre për azil do të shqyrtohen gjatë asaj kohe.

Në informaconet paraprake qendrat do të paguhen nga qeveria italiane dhe do të funksionojnë sipas ligjit italian. Stafi italian do të jetë përgjegjës për operacionet dhe do të ketë imunitet nga ligji shqiptar në disa raste.

Pasi të jenë vlerësuar kërkesat për azil të emigrantëve, Italia do të jetë përgjegjëse ose për zhvendosjen e tyre nga qendrat në territoret italiane ose për dëbimin e tyre. Personeli i sigurisë dhe oficerët e policisë do të sigurohen nga Shqipëria.

Kryeminstri Edi Rama dhe homologja e tij italiane Giorgia Meloni e prezantuan për herë të parë marrëveshjen në Romë në nëntor të vitit 2023.

Menjëherë pas kësaj, marrëveshja u bllokua përkohësisht pasi opozita shqiptare paraqiti dy peticione me argumentin se do t’u mohonte azilkërkuesve mbrojtjen e kushtetutës dhe ligjit ndërkombëtar.

Por të hënën, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese vendosën se marrëveshja nuk ishte antikushtetuese. Ata thanë se marrëveshja “nuk krijon të drejta dhe liri të reja kushtetuese, as nuk sjell kufizime shtesë për të drejtat dhe liritë ekzistuese të njeriut, përtej atyre të parashikuara nga rendi juridik shqiptar”.

Gjyqtarët hodhën poshtë gjithashtu pretendimet se marrëveshja për ngritjen e objekteve të pritjes së azilit do t’i jepte Italisë sovranitet në territorin shqiptar, duke vendosur se marrëveshja “nuk përcakton kufijtë territorialë dhe nuk ndryshon integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë”.

Mediat raportuan se gjyqtarët e gjykatës votuan 5-4 për të rrëzuar kërkesën për bllokimin e legjislacionit të propozuar.

Javën e kaluar deputetët italianë votuan pro marrëveshjes, e cila u mbështet me 155 vota kundër 115. Tashmë ajo do të shkojë në Senatin italian, ku pritet edhe miratimi i saj.

Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, tha në Senatin italian gjatë javës së kaluar se ishte i shqetësuar se transferimet e azilkërkuesve në Shqipëri do të “ngrenë çështje të rëndësishme të të drejtave të njeriut”, duke përfshirë kushtet e jetesës dhe lirinë për ndalim arbitrar.

Ende nuk dihet se kur do të hapen qendrat, por pranvera e këtij viti është data paraprake e dhënë në momentin që u njoftua për herë të parë plani.

Meloni, e cila kryeson partinë e krahut të djathtë, nacionalist Vëllezërit e Italisë, premtoi të godiste emigracionin kur u zgjodh në shtator 2022. Megjithatë, më shumë se 155,000 migrantë hynë në Itali në 2023 – 52,000 më shumë se një vit më parë.

Plani i Shqipërisë është një nga ndërhyrjet e propozuara të Melonit për t’i dhënë fund emigracionit të paligjshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA