Me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, policia ka ushtruar kontrolle periodike në kryeqytet.
Jo rrallë herë në këto kontrolle persona të cilët kapen nën efektin e alkoolit, me celular apo me shpejtësi tej normave të lejuara për t’i shpëtuar gjobës ofrojnë ryshfet për policin duke konsumuar kështu një tjetër vepër penale atë të korrupsionit aktiv.
“Prej 1 janarit deri në momentin që flasim komisariati rrugor Tiranë ka 13 raste të evidentuara. Janë shifra disi të larta. Me direktivë të ministrit të brendshëm policia është angazhuar maksimalisht për ta luftuar këtë fenomen“-shprehet Gerhard Baka, specialist i trafikut urban.
Viti i kaluar u mbyll me 300 raste të evidentuara vetëm nga policia rrugore ku drejtuesit e mjeteve kanë ofruar para për të shmangur gjobën për shkelje që ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë rrugore.
“Shifrat janë të ndryshme. Kemi raste kur kanë ofruar nga 500 lekë deri në 200 euro që ka qenë shifra më e lartë e tentimit të korruptimit të punonjësit të policisë”.
Korrupsioni është një vepër penale që ndëshkon si atë që e jep ashtu edhe atë që e merr ryshfetin, prandaj luftimi i këtij fenomeni bëhet në të dyja anët duke ndëshkuar edhe punonjësit e policisë që korruptohen.
Top Channel