U zhvillua në Tiranë Asambleja e Jashtëzakonshme e Urdhrit të Psikologut të Shqipërisë kërkuar nga 1/3 e të gjithë anëtarëve të Asamblesë.
Në përfundim të votimit të fshehtë u vendos shkarkimi me efekt të menjëhershëm i president së Urdhrit të Psikologut të Republikës së Shqipërisë zonjës Valbona Treska:
“Procesi i votimit për shkarkimin nga detyra me efekt të menjëhershëm, presidentes së Urdhrit të Psikologut, nga shqyrtimi i dokumentit zgjedhor rezulton si vijon: Numri i pjesëmarrësve në asamblenë e përgjithshme 386, numri total i votave 248, fletë votimi të vlefshme 204, të pavlefshme 44, nga numërimi i fletëve të vlefshme rezultuan votat si më poshtë, pro shkarkimit 204, kundër shkarkimit asnjë, abstenim asnjë në përfundim të numërimit shpallet rezultati, me 204 vota pro dhe asnjë votë kundër, presidenti i Urdhrit të Psikologut, zonja Valbona Treska, i bie që të shkarkohet nga detyra”, u tha gjatë vendimit.
Presidentja Treska bëri këtë reagim për vendimin e shkarkimit të saj:
“Duke qenë se po qarkullon nëpër media një lajm i rremë, se Presidentja e Urdhrit të Psikologut Znj. Valbona Treska është shkarkuar nga detyra, sqarojmë se: Presidentja e Urdhrit të Psikologut gëzon shëndet të plotë, ajo vijon të jetë në krye të institucionit së bashku me organet e tjera të tij, konform të gjitha parashikimeve ligjore në fuqi. Urdhri i Psikologut do të vijojë të përmbushë misionin e tij ligjor me përgjegjshmëri të plotë”.
Asambleja e Jashtëzakonshme u mblodh për shkak të shkeljeve sipas psikologëve, indiferencës dhe arrogancës nga ana e organeve drejtuese, në gjithë këto vite ekzistence të Urdhrit.
Ata kundërshtojnë rritjen e tarifave dhe kuotizacioneve, pa u konsultuar më parë me Asamblenë dhe në mungesë të theksuar transparence.
Rreth një javë më parë një peticion i firmosur nga 216 psikologë në të gjithë vendin iu drejtua qeverisë kundër Presidentes së Urdhrit të Psikologut, me argumentin se institucioni po kryen trajnime dhe akreditime që nuk janë miratuar nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror.
Sipas tyre, trajnimet e kryera gjatë vitit të kaluar që kanë shkuar deri në 1500 euro, rezultojnë të pavlefshme ligjërisht.
Treska u zgjodh si presidente e parë e Urdhrit të Psikologut në 2017 nga Asambleja Themeluese. Ajo u rizgjodh në 2021 për një mandat tjetër 4-vjeçar.
Top Channel