Kreu i Dhomës së Avokatisë në Korçë, Arben Lena është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, në dyshimin për veprën penale të korrupsionit.
Prangosja e tij ishte pjesë e një hetimi dhe arrestimeve të bëra nga SPAK më herët, për një rast të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm tej personat që ushtrojnë funksione publike.
Në këmbim të pesë mijë eurove, i duhej zbutur masa e arrestit një të arrestuari. Bëhet fjalë për Bledar Koçizin, i cili ishte arrestuar për trafikim të emigrantëve. Për të mos e mbajtur në burg janë premtuar një pagesë prej 5 mijë euro dhe personat e përfshirë në krim kanë bashkëpunuar për të ndikuar te gjykata dhe prokurorët.
Në fund të dhjetorit, për këtë çështje u vunë nën akuzë dhe iu dha masa e ndalimit 6 personave të përfshirë në krim që nga dhënia e ryshfetit deri te moskallëzimi i krimit. Tre prej tyre janë në burg, një në arrest shtëpie dhe dy të tjerë me detyrim paraqitje.
Avokati Arben Lena pritet që të dalë para gjykatës për njohjen e masës së ndalimit në ditët në vazhdim.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr. 07 të vitit 2023, për veprat penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, dhe “Moskallëzimi i Krimit”, parashikuar nga nenet 245/1, pika 2 dhe 4 e 300 të Kodit Penal.
Nga hetimet e kryera deri në këtë fazë të hetimit është krijuar dyshimi i arsyeshëm se shtetasit D. K., N. H., N. J., B. K. dhe A. K., në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” në formën e kërkimit të përfitimit të parregullt të një shume prej 5000 (pesë mijë) eurosh me qëllim ushtrimin e ndikimit në Gjykatën e Apelit Korçë për zbutjen e masës së sigurimit të shtetasit B. K., i cili hetohej për veprën penale te parashikuar nga neni 298 i K. Penal. Shtetasi D.T., dyshohet se ka kryer veprën penale të “Moskallëzimi i krimit”, parashikuar nga neni 300 i K. Penal.
Në bazë të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin Nr.137 datë 25.12.2023, ndër të tjera ka vendosur:
1. Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, ndaj personit nën hetim N. H., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1/2-25 i K. Penal.
2. Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, ndaj personit nën hetim B.K., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1/2-25 i K. Penal.
3. Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, ndaj personit nën hetim N. J., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1/2-25 i K. Penal.
4. Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj personit nën hetim D. K., e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1/4 i K. Penal (me profesion avokate).
5. Caktimin e masës së sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, ndaj personit nën hetim D.T., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit”, parashikuar nga neni 300 i K. Penal.
6. Caktimin e masës së sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K. Pr. Penale, ndaj personit nën hetim A. K., e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1/2-25 i K. Penal.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka urdhëruar ekzekutimin e masave të sigurimit të caktuara me vendimin Nr.137 datë 25.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka ekzekutuar këto masa sigurimi në datat 25 dhe 26.12.2023.
Top Channel