Demokrati Bardh Spahia, duke publikuar një shkresë në rrjetet sociale, shprehet se kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, ka urdhëruar shkrirjen e Teatrit Migjeni.
Sipas Spahisë, Dega ekonomike e kulturës që ka administruar Qendrën Kulturore “Pjetër Gaci”, Bibliotekën “Marin Barleti”, Galerinë e Arteve, Muzeun “Oso Kuka”, Muzeun e Kështjellës dhe “Vendin e Dëshmisë e Kujtesës”, po fshihet me qëllim që gjithçka të jetë nën pushtetin e bashkisë. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me Drejtorinë e çerdheve e kopshteve, shton ai. “Ky shkatërrim i qëllimshëm ka vetëm një arsye, abuzimin, mos mbajtjen e përgjegjësisë dhe rrënimin e bashkisë Shkodër”, shprehet demokrati, që garoi përballë Becit në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar.
Por, nga ana tjetër, drejtori i teatrit, Arjan Çuliqi mohon zërat për shkrirje të këtij institucioni kulturor. Sipas tij, jo vetëm që nuk ka shkrirje, pot Teatri Migjeni është në pikun e përgatitjeve për aktivitetet që do të shoqërojnë tempullin e artit dhe të kulturës në Shkodër përgjatë të gjithë vitit 2024.
“Edhe unë kam dëgjuar për shkrirje, por nuk shoh shkrirje, por shoh ngrirje më shumë. Është pak ftohtë këtu, por ne vazhdojmë punojmë, jemi në kulmin e provave të fundit për një shfaqje të mrekullueshme sikurse është Mbretëresha e Dëborës”, shprehet ai.
Çuliqi shton se Teatri “Migjeni” i Shkodrës është në fazën e fundit të përgatitjeve për një sërë aktivitetesh që do ti serviren publikut shkodran duke nisur që nga java e ardhshme për të vijuar më pas me muajin shkurt.
Zyrtarisht, bashkia sqaron se ka ndryshuar vetëm mënyra e menaxhimit të financave dhe drejtori i teatrit do të ketë në dorë pjesën artistike dhe kulturore, por jo financat.
Me vendim të Këshillit të Bashkisë Shkodër, institucionet kulturore janë përfshirë në një proces ristrukturimi, në të cilat është krijuar një ndërmarrje e veçantë për mirëmbajtjen e tyre me krijimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Mirëmbajtjes së Objekteve Publike (DPMOP). Ndërkohë qe menaxhimi i këtyre institucioneve si teatri, galeria, biblioteka, muzeu, vendi i dëshmisë dhe kujtesës, do të vijojë me tagër të drejtuesve të këtyre institucioneve që do të merren totalisht me krijimtarinë artistike dhe kulturore të këtyre institucioneve.
Top Channel