E. Jean Carroll u shfaq e buzëqeshur teksa largohej nga gjykata pas fitores së çështjes së përdhunimit për të cilin akuzonte ish-presidentin Donald Trump.
Gjykata ka urdhëruar ish-presidentin Donald Trump që t’i paguajë 18.3 milion dollarë si dëmshpërblim dhe 65 milion dollarë për dëme ndëshkuese ndaj autores E. Jean Carroll, pas akuzave për përdhunim. Shuma totale arrin në 83.3 milion dollarë në dëme totale.
Juria prej nëntë anëtarësh në Gjykatën Federale në Manhatan nisi diskutimin pak pas drekës të premten, rreth orës 14:40 me orën lokale. Pas afro tre orësh diskutime, ata arritën në një vendim unanim.
Trump nuk ishte në gjykatë, pasi u largua më herët se të jepej vendimi. Trump përsëriti qëndrimin e tij se pretendimi i zonjës Carroll ishte sajesë dhe ai nuk e kishte përdhunuar, por juria vendosi në favor të autores.
Më herët të enjten, avokatët e zonjës Carroll shfaqën video nga dëshmitë e zotit Trump ku ai e quante atë “të sëmurë mendërisht” dhe e kërcënonte se do ta padiste.
“Është një akuzë e rreme, nuk ka ndodhur kurrë, nuk ka se si të ndodhte”, shprehej zoti Trump.
80-vjeçarja Carroll po kërkon të paktën 10 milionë dollarë dëmshpërblim lidhur me deklaratat e ish-presidentit Trump në qershor 2019, ku ai mohonte se e kishte përdhunuar atë në mes të viteve 1990 në dhomat e provave të një dyqani veshjesh në Manhatan.
Trump e ka akuzuar autoren Carroll se e kishte bërë akuzën për të shtuar vëmendjen për shitjen e biografisë së saj.
Majin e kaluar, një tjetër juri e urdhëroi zotin Trump t’i paguante zonjës Carroll 5 milionë dollarë për një mohim të ngjashëm ndaj akuzave të saj në tetor 2022. Ai po e apelon atë urdhër.
Top Channel