Në një opinion mbi zgjedhje presidenciale të këtij viti, rrjeti CNN shkruante se demokratët mund të bëjnë sërish gabimin e nënvlersimit të republikanit Donald Trump siç ndodhi në zgjedhjet e 2016, kur Hillary Clinton ishte kandidatja demokrate.

Pas paraqitjes së fortë të Trump në primaret e New Hampshire ku thuajse ka eliminuar ish-ambasadoren në OKB, Nikki Haley, kritikët e tij kërkojnë me ngulm lajme të mira.

Ata përmendin faktin se si ish-presidenti ai nuk mori aq vota sa ish-presidentë të tjerë, që zakonisht kanë njohje dhe kapacitet për mbledhje fondesh në tentativën e rizgjedhjes.

Trump e ka shumicën e këtyre por Haley përsëri mori një pjesë të konsiderueshme të mbështetjes.

Kritikët shtojnë se Haley arriti të merrte vota të të pavarurve që në vjeshtë mund të preferonin Joe Biden në vend të Trump.

Por këto argumente nënvlerësojnë kërcënimin që Trump paraqet për Biden pasi megjithë problemet e tij të shumta të akumuluara, ka arritur të krijojë këtë kërcënim.

Trump po korr sukses edhe pse SHBA nuk ka pasur ndonjëherë një kandidat me një ‘bagazh’ kaq të madh problemesh ligjore.

Ai është gjithashtu një president i mundur pas një mandati, që akuzohet se ka tentuar të përmbysë zgjedhjet që humbi dhe që është paditur katër herë me akuza për abuzim pushteti (të cilat i mohon).

Ndërkohë dy shtete e kanë skualifikuar nga kandidimi me akuzat e rebelimit (për të cilat ai po apelon),ndërsa ka gjithashtu padi për sulm seksual, shpifje dhe evazion fiskal.

Por problemet duket se po shtojnë popullaritetin e tij dhe nëse ai fiton mund të vazhdojë të shkelë normat tradicionale të politikës.

Trump ka vijuar të ofendojë rivalët e tij sikur të ishte në një ring boksi dhe vijon të sillet si në fushatat e 2020 e 2016.

Nuk ka dyshim se këto aftësi i sjellin vëmendje të mediave pasi njihet për aftësitë e tij si ‘showman’. Trump e njeh mirë televizionin dhe merr vëmendje nga performancat e tij provokative, siç bëri pas parashikimeve për fitore në New Hampshire.

Në vend të fjalimi standard të fitores, Trump sulmoi Haley me komente hakmarrëse, duke komentuar dhe mbi veshjen e saj.

Kjo sipas analistëve nuk kishte të bënte me Haley por për të tërhequr vëmendje te vetja, ashtu si bisedat 24 orëshe në rrjete sociale për Trump, që largojnë vëmendjen nga të gjithë të tjerët.

Trump jeton me maksimën se ‘çdo lloj publiciteti është publicitet i mirë’ dhe sigurisht që do të krijojë probleme për Biden duke tërhequr vëmendjen kombëtare.

Gjithashtu sipas treguesve Trump ka mbështetje të gjerë në partinë republikane dhe nuk është e qartë se të tjerë nuk do të ndryshojnë mendje për të votuar për të nën nëntor, kur Trump të nisë sulmet ndaj Biden duke e përshkruar atë si një ‘Karl Marx’ i dytë.

Kur njerëzit të votojnë më 5 nëntor ata mund të mendojnë se reduktimet taksore dhe drejtësia konservatore janë më të rëndësishme se shqetësimet që mund të sjellë një presidencë e dytë e Trump.

Megjithë suksesin legjislativ të presidencës së Biden dhe treguesit pozitivë ekonomikë,  Trump përfiton nga fakti se republikanët i konsiderojnë më të mira vitet para kohës së Covid, kur tani po shikojnë rritje të çmimeve, luftëra madhore dhe kaos në kufi. Për ta është rikthyer “kasaphana amerikane sërish”./Opinion nga Julian Zelizer, CNN

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA