Një 41-vjeçar u arrestua në Rinas, pasi akuzohet se shfrytëzonte për prostitucion shtetase të huaja.
Sipas policisë, bëhet fjalë për Auron Hashani alias Auron Samurri alias Auron Ajdinaj alias Avni Ajdinaj alias Elvis Ajdinaj, i cili u kap në kuadër të operacionit policor të koduar “Identitetet”, si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Komisariatit të Policisë Rinas, Interpol Tiranës dhe homologëve italianë.
41-vjeçari ishte pjesëtar i një grupi kriminal, që shfrytëzonte për prostitucion shtetase të huaja gjatë periudhës 2008-2012 në Milano. Ai do të ekstradohet drejt Italisë, ku është dënuar me mbi 4 vjet burgim, për këtë veprimtari kriminale.
Gjykata e Milanos e ka dënuar 41-vjeçarin, me 4 vjet, 2 muaj e 26 ditë burgim, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, kryer në kuadër të grupit kriminal, sipas parashikimeve të Kodit Penal të Italisë. Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka shfrytëzuar për prostitucion në Milano, 2 shtetase të huaja.
Vijojnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali, ku i duhet të vuajë dhe 3 vjet, 11 muaj e 11 ditë burgim, ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel