Gara paraprake në kuadër të zgjedhjeve presidenciale amerikane do të zhvendoset të martën në shtetin Nju Hempshër.
Interesi mbi zgjedhjet në këtë shtet të vogël në verilindje të Shteteve të Bashkuara është shtuar pasi largimit të gara të guvernatorit të Floridës, Ron DeSantis, duke e kthyer garën mes republikanëve, në një përballje mes dy kandidatëve.
Korrespodentja e Zërit të Amerikës, Carolyn Presutti, njofton nga Nju Hemshëri, se si ky shtet, që i njeh vetes meritën se është i pavarur dhe del jashtë rregullave, mund të ofrojë shumë të papritura. Që një kandidat t’i jepte fund fushatës presidenciale disa orë para garës paraprake, nuk ishte diçka që pritej. Por, ja që, ky është shteti i pazakontë i Nju Hempshërit.
Nga pala tjetër, Komiteti Kombëtar i Demokratëve vendosi që zgjedhjet paraprake të fillojnë me Karolinën e Jugut në shkurt dhe jo Nju Hempshërin, shtet nga ku historikisht kanë nisur garat e këtij lloji. Karolina e Jugut njihet për larmishmërinë e elektoratit.
“Njerëzit kanë thënë se do ta anashkalojnë këtë gjë dhe do të mbështesin Joe Bidenin sepse të gjithë e dimë se republikanët do të emërojnë Donald Trumpin dhe gjëja më e rëndësishme që mund të bëjmë për të shpëtuar demokracinë është që të ndalim Donald Trumpin,” shprehet Kathy Sullivan, ish kryetare e degës së Partisë Demokrate në Nju Hempshër.
Të zemëruar, zyrtarët e partisë demokrate të shtetit të Nju Hempshërit, vendosën t’i mbajnë zgjedhjet gjithësesi. Ndërkohë mbështetësit e Presidentit Joe Biden, filluan një fushatë, përmes së cilës, e shtonin vetë, emrin e tij në fletët e votimit, duke i dhënë përkrahje për garën. Ray Buckley, i cili drejton tani degën e Partisë Demokrate në Nju Hempshër, nuk do të votojë të martën Presidentin Biden.
“Që kur jam zgjedhur në këtë detyrë, sa herë kam votuar, kam shkruar emrin e ish presidentit Jimmy Carter, për të dëshmuar se jam tërësisht i paanshëm”, shprehet Ray Buckley,kryetar i degës së Partisë Demokrate në Nju Hempshër.
Nga pala republikane, merr jetë një tjetër lloj drame. Në një mot me erë të fortë dhe me temperaturë deri minus 10 gradë Celcius, njerëzit presin në radhë, 4 orë para se të fillojë tubimi i ish presidentit Donald Trump.
“E duam Trumpin, ai lufton për ne”, shprehet Derek Levine, votues në Nju Hempshër. “Sa luftëra kishim kur ai ishte President? Të gjithë ishin të lumtur, të gjithë po fitonim para”, shprehet Dee Boisvert, një tjetër votues.
Ish Presidenti Donald Trump po tërheq mbështetës në tubimet e tij dhe anketimet tregojnë se në mesin e votuesve në Nju Hempshër përkrahja për të është mbi 50 për qind. Sipas një anketimi të gazetës “Boston Globe”, ish ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley përkrahet nga rreth 35 për qind e të anketuarve.
“Ajo duhet të më bind që ta votoj, jam mendjehapur dhe po pres çfarë do të thotë”, shprehet votuesja Denise Montminy. Si Denise Montminy, e cila pret në radhë për të dëgjuar zonjën Haley, ka shumë votues të tjetrë të pavarur, ose demokratë, të cilët të martën, mund të votojnë për një kandidat republikan.
“Dëshiroj që prej saj të dëgjoj një retorikë më pak luftë-nxitëse lidhur me Ukrainën dhe konfliktin izraelito-palestinez”, shprehet Isaac Geer, votues i pavarur. Analistët thonë se republikanët e Nju Hempshërit, të cilët janë të interesuar për taksa të ulëta dhe një administratë shtetërore të vogël, mund të jenë shansi i fundit i zonjës Haley për ta ndalur ish presidentin Trump.
“Nëse nuk arrin sukses në një shtet si ky, atëherë mendoj se duhet pyetur, cili është hapi i radhës? Cili është shteti ku ajo ka një mundësi të fitojë ndaj zotit Trump, dhe lista e shteteve ku mund të ndodhë një gjë e tillë është shumë, shumë e vogël”, shprehet Chris Galdieri, nga Kolegji St. Anselm. Për të kuptuar nëse votuesit e Nju Hempshër do të befasojnë, duhet pritur mbrëmja e së martës./“Nëse nuk arrin sukses në një shtet si ky, atëherë mendoj se duhet pyetur, cili është hapi i radhës? Cili është shteti ku ajo ka një mundësi të fitojë ndaj zotit Trump, dhe lista e shteteve ku mund të ndodhë një gjë e tillë është shumë, shumë e vogël”, shprehet Chris Galdieri, nga Kolegji St. Anselm. Për të kuptuar nëse votuesit e Nju Hempshër do të befasojnë, duhet pritur mbrëmja e së martës./ VOA
Top Channel