“Republika në rrezik”! Rritja e ekstremit të djathtë, shpërthejnë protestat në Gjermani

22/01/2024 12:27

Me dhjetëra mijëra vetë kanë dalë në rrugët e Berlinit për të protestuar kundër ekstremit të djathtë, të nxitur nga njoftimet se pjesëtarë të partisë së këtij krahu, AfD kishin diskutuar dëbimin e emigrantëve në takimet me ekstremistë.

Tubimi gjigand shënoi dhe pikën kulmore të një jave protestash gjatë të cilave, është regjistruar një numër tejet i lartë pjesëmarrësish në pjesë të ndryshme të vendit.

“Mendoj se tani thjesht po bëhet më evidente. Unë vetë, ashtu si dhe shumë të tjerë e kemi nënvlerësuar, duke thënë me vete: “po mirë se nuk janë shumë, një grusht njerëzish janë. Por jo, e vërteta është se ata po shtojnë radhët ndjeshëm e po përhapen githmonë e më shumë”, tha Ute Rautenberg, demostruese nga Berlini.

Llogaritet që në total, në rrugët e qyteteve gjermane të kenë dalë rreth 1,4 milionë vetë për të protestuar kundër partisë ekstremiste të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) dhe agjendës së saj kundër emigracionit. Nën moton “ të mbrojmë demokracinë”, tubime të mëdha pati edhe amburg, Frankfurt, Këln, Dortmund e Mynih.

Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, u shpreh në një video-mesazh në lidhje me demonstratat se: “Këta njerëz na inkurajojnë të gjithëve”. Ata mbrojnë “republikën dhe kushtetutën tonë kundër armiqve të saj”.Vala e mobilizimit kundër partisë së ekstremit të djathtë AfD u ndez nga një shkrim i datës 10 janar publikuar nga grupi investigativ Correctiv, i cili zbuloi se anëtarët e AfD-së ishin takuar në nëntor 2023  në Potsdam me një grup ekstremistësh për të diskutuar largimin e emigrantëve dhe “qytetarëve të paasimiluar”.

Të pranishëm kishin qenë edhe anëtarë të Unionit Kristian Demokrat (CDU), partia kryesore opozitare. Pjesëmarrësit në takim kishin diskutuar për “riemigrimin”, një term që përdoret shpesh në qarqet ekstremiste të djathta si eufemizëm për dëbimin e emigrantëve dhe të pakicave, përfshirë ata që kanë marrë nënshtetësinë gjermane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA