Ngjarja, që ndodhi 4 ditë më parë në fshatin Rubjekë të Maminasit, angazhoi jo vetëm policinë vendore, por edhe forcat RENEA për të neutralizuar 35-vjeçarin Eduart Hoxha, që u shfaq i dhunshëm, pas një konflikti në familje me të atin.
Gjyqtari i seancës pasi ka dëgjuar palët e vleftësoi si të ligjshëm arrestimin në flagrancë të personit nën hetim, ndërsa caktoi si masë sigurimi personale shtrënguese ndaj Hoxhës atë të “Shtrimit të përkohshëm në një spital psikiatrik”, parashikuar nga neni 239 i Kodit të Procedurës Penale. Për ekzekutimin e këtij vendimi është ngarkuar Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës në bashkëpunim me policinë gjyqësore.
Pas ngjarjes, babai i E. Hoxhës deklaroi se reagimi i dhunshëm i të birit ndaj tij ndodhi për shkak të gjendjes së rënduar mendore të tij, pas kthimit nga Italia për festat e fundvitit. Ndërsa debatet në familje kanë qenë dhe për shkak të papunësisë së tij në shtetin fqinj, ku 35-vjeçari kërkonte të kthehej dhe pse nuk ndjehej mirë dhe shfaqte probleme të shëndetit mendor.
Top Channel