Xhaxhai i Aleks Nikës, Mark Nika gjatë homazheve për “21 Janarin” tha se provat janë prishur, por familjarët janë ende me sytë nga drejtësia që fajtorët të dënohen.
“Vrasja e Aleksit dhe tre protestuesve të tjerë u zbardh para kamerave. Të katërt u vranë në bulevard, një urdhër nga lart mund të çonte në vrasjen e protestuesve. Ky është një krim shtetëror që është thyer. U prishën provat. Nga ky vit kemi shpresë dhe besim se 21 Janari do flasë në gjuhën e së vërtetës, ligjit dhe drejtësisë. Vendimi i Gjykatës së Strasburgut është i detyrueshëm për t’u zbatuar. Topi është në fushën e drejtësisë së re shqiptare, jemi me shpresë”, tha ai.
Sot shënohen 13 vite nga ngjarja e rëndë e “21 janarit”, ku mbetën të vdekur katër qytetarë gjatë protestave në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Më 21 janar 2011, opozita e atëhershme, sot në qeveri protestoi para Kryeministrisë.
Hetimi i parë çoi si të pandehur për ngjarjen Ndrea Prendin dhe Agim Llupon. Gjykata vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite.
Aktualisht ka vetëm një çështje në Prokurorinë e Tiranës, ajo e vrasjes së Aleks Nikës, teksa predha që e la atë të vdekur është dërguar për ekzaminim në Itali, ndërsa vrasja e tij, 13 vite më pas vijon të mbetet pa autor.
Top Channel