Kryeministri Edi Rama bëri thirrje për drejtësi për katër viktimat në 13-vjetorin e “21 Janarit”.
Ndërsa përmendi datën e mbajtjes në Gjykatën e Lartë, ai theksoi se dosja duhet t’i kalojë Prokurorisë së Posaçme, për ta çuar më pas në Gjykatën e Posaçme.
Autorët duhet të përgjigjen para shqiptarëve për humbjen e jetës së katër qytetarëve, sipas kreut të qeverisë, i cili vrasjen e Aleks Nikës, Ziver Veizit, Hekuran Dedës dhe Faik Myrtajt në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” gjatë protestave të opozitës më 21 janar 2011 e quan krim shtetëror.
“Mes të dyjave qëndron sot një datë e shpallur nga Gjykata e Lartë e Shqipërisë, 27 shkurt 2024. Pak më shumë sesa një muaj prej sot, do të marrim vesh nëse dosja e gjakut të “21 janarit” do t’i kaloj për shqyrtim SPAK-ut për të hapur për së mbari hetimi e krimit shtetëror në bazë të vendimit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut apo do të vazhdojë të mbetet e mbyllur për Zoti e di sesa kohë akoma nën barkun e madh të Prokurorisë pa shtyllë kurrizore të rrethit gjyqësor të Tiranës.
Këto dy anë krejt të ndryshme të medaljes të drejtësisë për “21 janarin”, sot janë në fakt edhe vetë shëmbëlltyra e drejtësisë në Shqipëri aktualisht. Një trup i shtrirë në gjithë vendin i cili ka nisur të japë më në fund shenja inkurajuese jete, falë vullnetit tonë të hekurt për t’i mbajtur larg duart e pushtetit politik nga drejtësia, falë reformës në drejtësi të cilën ne e udhëhoqëm dhe e miratuam me këtë vullnet e falë pa dyshim veprimtarisë së SPAK dhe Gjykatës së Posaçme të cilat po japin prova inkurajuese që drejtësia në këtë vend është e mundur”, tha Rama.
Fjala e plotë e Ramës
Shumë të dashur familjarë të Dëshmorëve të Atdheut që humbën jetën padrejtësisht në 21 janar, pas plot 13 vitesh nga “21 janari” tragjik, sot ky përkujtim që na mbledh përsëri si çdo vit në këtë familje të ngushtë, ka pakëz më shumë sesa thjeshtë shpresë në errësirën e plotë të tunelit të kërkimit të drejtësisë gjatë gjithë këtyre viteve.
Prandaj sot ndryshe nga herët e tjera ne jemi së bashku jo vetëm për të përkujtuar, por edhe për t’i thënë këto fjalë sepse ka më në fund përveç sesa thjeshtë shpresë, pakëz dritë në rrugën e gjatë të këtij tuneli.
Fjalët e shpresës sonë sot nuk dalin vetëm nga dëshira e paepur për të mos iu dorëzuar errësirës mbytëse të sistemit të vjetër të drejtësisë, por edhe nga shenjat reale të zgjimit të drejtësisë edhe për 21 janarin. Njëra shenjë e këtij zgjimi të shumëpritur është e drejtpërdrejtë!
Vendimi kuptimplotë i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, i cili e cilëson “21 janarin”, e zeza mbi të bardhë, si krim shtetëror të pa hetuar. Duke u bërë kështu i pamundur të lexohet me dy kuptime, sipas dëshirës së kërkuesve të drejtësisë për 21 janarin, këtu në këtë rreth të pandashëm kujtese dhe në shoqërinë shqiptare apo dëshirës së mbytësve të drejtësisë për 21 janarin në politikën shqiptare dhe në Prokurorinë e rrethit gjyqësor të Tiranës.
Shenja tjetër e zgjimit të drejtësisë është veprimtaria e prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e cila së fundmi ka hyrë në një fazë të re, kuptimplotë, duke e thyer më në fund akullin e shtresëzuar prej 100 e kusur vitesh mes shtetit shqiptar dhe drejtësisë.
Mes të dyjave qëndron sot një datë e shpallur nga Gjykata e Lartë e Shqipërisë, 27 shkurt 2024. Pak më shumë sesa një muaj prej sot, do të marrim vesh nëse dosja e gjakut të “21 janarit” do t’i kaloj për shqyrtim SPAK-ut për të hapur për së mbari hetimi e krimit shtetëror në bazë të vendimit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut apo do të vazhdojë të mbetet e mbyllur për Zoti e di sesa kohë akoma nën barkun e madh të Prokurorisë pa shtyllë kurrizore të rrethit gjyqësor të Tiranës.
Këto dy anë krejt të ndryshme të medaljes të drejtësisë për “21 janarin”, sot janë në fakt edhe vetë shëmbëlltyra e drejtësisë në Shqipëri aktualisht. Një trup i shtrirë në gjithë vendin i cili ka nisur të japë më në fund shenja inkurajuese jete, falë vullnetit tonë të hekurt për t’i mbajtur larg duart e pushtetit politik nga drejtësia, falë reformës në drejtësi të cilën ne e udhëhoqëm dhe e miratuam me këtë vullnet e falë pa dyshim veprimtarisë së SPAK dhe Gjykatës së Posaçme të cilat po japin prova inkurajuese që drejtësia në këtë vend është e mundur.
Ndërkohë që gjymtyrë dhe organe të tjera të trupit të drejtësisë vazhdojnë përpëliten përmes inercisë së kllapisë shekullore dhe zgjimeve copa-copa sipas rastesh, kryesisht pa zarar apo për interesa pa karar ose vazhdojnë të flenë paturpësisht mbi dosje të zverdhura të krimeve shembullore ku “21 janari” mbetet krimi i krimeve dhe prova më ulëritëse edhe e nevojës së thellimit të mëtejshëm të reformës në drejtësi dhe të anti korrupsionit në tërësi.
Prokuroria e rrethit gjyqësor të Tiranës është një nga këto gjymtyrë, por si është e mundur që të kalojnë vite dhe ndërkohë gjymtyrë të tjera të cilat janë aty për të mundësuar mirëqeverisjen dhe vetë kontrollin e sistemit të dreqësisë ta shohin prej vitesh këtë zvarritje krejt të pajustifikueshme dhe të mos bëjnë asgjë. Dhe pyetja është, këtë që bëri Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, a mos vallë ishte kaq e vështirë ta bënte vetë sistemi? Ndërkohë që pikëpyetja është, a duhet të përgatitemi edhe për më të keqen që përsëri sistemi të mos veprojë edhe në bazë të detyrimit që lind nga vendimi i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Prandaj “21 janari” është sa një nevojë për drejtësi të drejtpërdrejtë lidhur me një krim shtetëror aq edhe një motiv dhe një pasqyrë për të kuptuar më së miri se cila është detyra jonë si udhëheqës dhe si garant politik të reformës në drejtësi, ndërkohë që Shqipëria është në një sfidë të vërtetë, të hapur kombëtare mes të shkuarës padrejtësi dhe të ardhmes që duhet me patjetër ta bëjmë të sotme të Shqipërisë si shtet i së drejtës. Ndërkohë që nuk mund të rrimë thjeshtë duke vëzhguar në pritje rezultatet e reformës në drejtësi.
Megjithatë përtej kësaj sfidë të hapur kombëtare që është sfida e të gjithë shoqërisë që fatmirësisht në pjesën dërrmuese të saj është e shëndetshme dhe e të gjithë atyre që në funksione të ndryshme apo si përfaqësues të tria pushteteve të pavarura kërkojnë dhe janë të gatshëm ta bëjnë Shqipërinë një shtet demokratik, funksional të së drejtës me të gjitha standardet e Bashkimit Europian, ky i sotmi është sidoqoftë një “21 janar” i veçantë! Pikërisht sepse sot për herë të parë që prej 13 vitesh shpresa nuk ushqehet vetëm nga brenda nesh, po dhe nga vendimi i Gjykatës Europiane të së Drejtave të Njeriut dhe nga vullneti tani më i shprehur i SPAK-ut dhe Gjykatës së Posaçme për të goditur drejtë, për të goditur lart pa duart e lidhura nga pushteti politik dhe pa frikë nga dordolecët politik që e mbajtën drejtësinë larg Shqipërisë dora-dorës për më shumë se 100 vjet.
Ne sot nuk na mbetet veçse të shpresojmë që gjykata e lartë e Republikës së Shqipërisë do të vendosë me drejtësi në 27 shkurt dhe do të lëvizë barrën e rëndë të “21 janarit” nga kurrizi i pashtyllë i Prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë, në duart e SPAK, për të hetuar krejt çka është shkruar qartë si drita e diellit në vendimin e asaj Gjykate, asgjë më shumë, por asgjë më pak. Dhe pastaj për ta çuar rezultatin e atij hetimi në duart e Gjykatës së Posaçme, ku më në fund Shqipëria dhe shqiptarët do të mund të shohin nën dritën e diellit të gjithë ata që duhet të përgjigjen për “21 janarin”.
Ne të gjitha rastet ne e kemi ditur apo jo? E kemi ditur qysh prej ditës së parë! Qysh prej ditës kur u mblodhëm për herë të parë me dhjetëra mijëra vetë në marshimin e heshtur të 28 janarit 2011, se “21 janari” është nga ato raste në histori dhe jo vetëm në histori tonë, por në historinë e botës kur drejtësia nuk vjen dot kurrë shpejt, por njëkohësisht nuk harron kurrsesi që të vijë.
Me këto fjalë dëshiroj që ta ndaj bashkë me të gjithë familjarët në emër edhe të të gjithë kolegëve këtu të pranishëm, në emër të familjes sonë të madhe politike që udhëheq sot vendin qoftë vullnetin si gjithmonë të palëkundur për të qëndruar krah për krah deri në ditën e gjykimit të “21 janarit”, por qoftë edhe besimin e ushqyer pikërisht nga një moment dramatik në këtë histori që shënon edhe një kthesë dramatike në drejtimin e duhur dhe që fatkeqësisht nuk erdhi si rezultat i forcës së brendshme të sistemit të drejtësisë, por erdhi si rezultat i forcës europiane të drejtësisë, Gjykatës Euripiane së të Drejtave të Njeriut, në Strasburg.
Top Channel