Reshjet e borës dhe erërat e forta kanë bërë që në qarkun e Shkodrës, të ketë akse rrugore të bllokuara, duke bërë të vështirë lëvizjen e automjeteve, të cilat këshillohen të lëvizin vetëm me zinxhirë dhe goma dimërore.
Sipas informacionit të administruar nga strukturat vendore MC për situatën në territorin e qarkut Shkodër:
Bashkia Shkodër
Në zonat malore kanë filluar reshjet e dëborës si dhe po fryn ere tepër e ftohtë. Borëpastrueset po punojnë ne segmentin rrugor Bogë-Theth, ky segment rrugor është i kalueshëm për automjete te pajisura me zinxhirë.
Bashkia Malësi e Madhe
Gjatë natës në gjithë territorin e bashkisë ka patur reshje shiu të shoqëruara me erë dhe në zonat malore ka reshje dëbore. Nuk raportohen probleme deri në këto momente.
Bashkia Vau Dejës
Në territorin e bashkisë së Vaut të Dejës vijojnë reshjet e shiut me intensitet të mesëm/lartë. Raportohen shkëputje të energjisë elektrike në disa fshatra.
Bashkia Pukë
Vijojnë reshjet e dëborës në territorin e kësaj bashkie, trashësia arrin deri në 15 cm. Rrugët e qytetit Puke janë të hapura. Po punohet në aksin rrugor Qafë Qerreti-Qelez.
Rrugët rurale deri në këto momente janë të kalueshme për automjete të pajisura me zinxhirë pasi temperaturat arrijnë deri në -5 grade. Probleme të tjera deri në këto momente nuk raportohen, vijon të monitorohet situata nga strukturat operacionale të bashkisë.
Bashkia Fushë Arrëz
Vazhdoje reshjet e dëborës dhe fryn ere me shpejtësi të lartë. Deri tani trashësia e dëborës arrin 25 cm. Rrugët rurale të Njësive Administrative janë të bllokuara për momentin. Në rrugët nacionale lëvizet vetëm me automjete të pajisura me zinxhirë. Në njësinë Administrative Iballe ka shkëputje të energjisë elektrike që nga mbrëmja e djeshme.
Autoriteti Verior Rrugor, Shkodër:
Sipas informacioneve të marra deri tani nuk raportohen probleme në akset rrugore që mbulon DRV Shkodër. Në akset malore kemi patur reshje bore kurse në akset e tjerë reshje shiu. Të gjithë akset rrugore janë pastrua e kriposur. Për përdoruesit e automjeteve apelohet të përdorin goma dimërorë dhe zinxhirë në këto akse dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore duke ulur shpejtësinë. Kontraktorët janë në terren të organizuar me mjete dhe punëtorë për përballimin e ç’do situate të mundshme.
N/Prefekti Pukë
Në segmentin rrugor Kryqëzim Hadroj, Gjegjan, Mirditë prej orës 03:30 të mëngjesit vijon të ketë reshje dëbore. Shërbimet tona kanë ndërhyre menjëherë duke bërë të mundur mbajtjen e qarkullueshme të segmentit për të gjithë llojet e automjeteve. Trashësia e dëborës në disa vende kalon trashësinë 35 cm. Aktualisht reshjet të shoqëruara me erëra po vijojnë intensivisht. Në segmentin rrugor nga Hadroj në Qafë-Ben po punojnë dy mjete borëpastruese, një kamionçinë, një fuoristradë dhe 10 punonjës. Aktualisht rruga është e qarkullueshme për të gjithë llojet e automjeteve.
Top Channel