Pas tensionesh të zgjatura koalicionit qeverisës gjerman, Bundestagu i dha dritën jeshile projektligjit që përfshin një sërë masash të reja lidhur me emigracionin në vend, përfshirë dhe zgjatjen e masës së paraburgimit për të parandaluar dështimin e dëbimit të shtetasve të huaj.
E thënë ndryshe, lëvizjet e fundit lehtësojnë procesin e dëbimit të të huajve pa leje të rregullt qëndrimi. Kështu shtrirja e periudhës maksimale ligjore të paraburgimit për personat që janë në pritje të riatdhesimit shkon nga 10 ditë në 28 ditë. Nga ana tjetër, siç shpjegon REL, përfaqësuesit e autoriteteve tani do të lejohen që të hyjnë në dhomat e përbashkëta të personave që janë në proces dëbimi, e jo vetëm në dhomën e personit që do të dëbohet nga shteti.
Ka pasur ankesa në të kaluarën se dëbimet dështonin për shkak se personat që ishin në proces largimi, nuk mund të gjendeshin nga autoritetet. Megjithatë, me insistimin e partisë se Gjelbër, tani është garantuar që personave të cilët janë në procedurë dëbimi do t’u sigurohet një avokat.
Ligji parashikon gjithashtu masa më të ashpra kundër trafikantëve me njerëz. Për shkak të protestave të organizatave për drejtave të njeriut, një paragraf i futur më vonë në legjislacion, sqaron se kjo nuk i prek njerëzit që shpëtojnë refugjatë në det.
Top Channel