Benjamin Netanyahu jo vetëm refuzoi thirrjet e Shteteve të Bashkuara që Izraeli të ulë intensitetin e ofensivës së tij ushtarake në Rripin e Gazës, por u tregua edhe i prerë në lidhje me thirrjet e Washingtonit për krijimin e një shteti palestinez pas përfundimit të luftës
Kryeministri izraelit e bëri të qartë se nuk ka për ta pranuar një skenar të tillë.
“Në çdo marrëveshje të ardhshme, Izraelit i duhet kontrolli i sigurisë i të gjithë territorit në perëndim të lumit Jordan. Dhe kjo bie ndesh me idenë e sovranitetit palestinez”, u shpreh Benjamin Netanyahu.
Refuzimi i tij shkaktoi menjëherë kritika nga Shtëpia e Bardhë. “Ne sigurisht e shohim këtë ndryshe”, deklaroi zëdhënësi i sigurisë kombëtare i John Kirby, teksa e gjithë çështja ka ekspozuar në sytë e publikut hendekun që po krijohet mes dy aleatëve lidhur me përmasat e luftës së Izraelit dhe planet e tij për të ardhmen e territorit të rrethuar. Vetëm një ditë përpara deklaratës së Netanyahut, shefi i diplomacisë amerikane Antony Blinken, tha se Izraeli nuk mund të ketë asnjëherë “siguri të mirëfilltë” pa një rrugë drejt pavarësisë palestineze. Shtëpia e Bardhë më herët kishte insistuar gjithashtu që shteti hebre ta ulë intensitetin e ofensivës së tij shkatërruese në Gazë.
Në një qëndrim krejtësisht të ndryshëm nga ai i Washingtonit, Netanyahu u shpreh në konferencën për shtyp se ofensiva nuk ka për të ndaluar derisa të përmbushë objektivin e shkatërrimit të plotë të Hamasit dhe kthimit të të gjithë pengjeve që mbahen nga grupi militant, dhe u zotua ta vazhdojë luftën për muaj të tërë.
Top Channel