Ndërhyrja e policisë dhe forcave RENEA parandaloi një krim në familje.
Një konflikt në familjen Hoxha në Rubjekë të Maminasit mes djalit të papunë dhe babait ka degraduar në dhunë ndaj babait dhe kërcënim për ta vrarë atë. Pas marrjes së njoftimit për dhunë brenda familjes, policia vendore shkoi pranë banesës për të neutralizuar autorin dhe për të shpëtuar 73-vjeçarin nën dhunë.
I moshuari i dhunuar është nxjerrë nga banesa, ndonëse policia hasi në kundërshtimin e dhunshëm të Eduart Hoxhës që nuk u dorëzua dhe u mbyll në shtëpi. Në këto kushte, në ndihmë të policisë shkuan forcat e RENEA-s dhe vetëm pas disa orësh negociatash të pasuksesshme, ato ndërhynë me forcë në banesë, duke bërë të mundur neutralizimin dhe vënien në pranga të Eduart Hoxhës nga Rubjeka.
35-vjeçari nuk njihet si person problematik në komunitet dhe as nga policia vendore.
Në cilësinë e provave materiale, shërbimet e policisë sekuestruan sëpatën dhe thikën, ndërsa hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes kriminale brenda familjes.
Top Channel