Paralajmërimi i fundit i një zyrtari të lartë të NATO-s bën të bien kambanat e alarmit se skenari i përplasjes së aleancës me Rusinë, nuk është dhe aq i pagjasë.
Perëndimi, tha admirali holandez, Rob Bauer, duhet të rrisë përgatitjet për ngjarje të papritura, duke përfshirë këtu dhe mundësinë e një përplasjeje frontale me Moskën. “Ne duhet ta kuptojmë se nuk duhet marrë si i mirëqenë fakti që jemi në paqe. Për këtë arsye, ne forcat e NATO-s po përgatitemi për një konflikt me Rusinë”, ka qenë komenti i tij.
Këtë deklaratë të fortë, krei i komitetit ushtarak të NATO-s i bëri në Bruksel, pak përpara se aleanca të nisë stërvitjet më të mëdha të saj që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. NATO-ja duhet të jetë në gatishmëri të lartë për luftë dhe “të presë edhe të papriturën”, ishte pohimi shqetësues i tij.
“Aleancës i nevojitet një transformim luftarak nëse do të duam të jemi plotësisht efektiv”, shtoi ai. Paralajmërime se lufta e Ukrainës mund të shtrihet edhe në vendet fqinj kanë ardhur edhe nga ministri gjerman i mbrojtjes, Boris Pistorius, i cili theksoi se kërcënimet e Kremlinit edhe kundër vendeve baltike, tashmë po bëhen thuajse të përditshme.
Top Channel