Komiteti Mysliman i Shqipërisë deklaron se distantohet nga çdo individ që keqpërdor fenë, nisur nga rasti i djeshëm ku një kirurg që prentendonte se ishte besimtar, shfrytëzonte prej dy vitesh një minorene.
“Në përgjigje të pyetjeve të shumta nga mediat për rastin e arrestimit të një mjeku të dyshuar për abuzim dhe vepra të tjera sqarojmë sa më poshtë vijon: Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është një institucion fetar, i cili ushtron aktivitetin e tij në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Republikës së Shqipërisë. Është institucion që merret me jetën fetare dhe përçimin e mesazhit të qartë e të pastër islam në vendin tonë, gjë të cilën prej një shekulli e ushtron në përputhje me parimet më të larta fetare dhe konform ligjeve të Republikës së Shqipërisë. Ne e gjejmë të pavend interesimin e lartë për një çështje që nuk i përket KMSh-së, por organeve ligjzbatuese të shtetit shqiptar. Komuniteti Mysliman, ashtu si çdo fe tjetër, nuk mban regjistër me të dhëna psikologjike apo devijime të natyrave të ndryshme të njerëzve, qofshin frekuentues ose jo të objekteve tona të kultit. Ne distancohemi nga çdo individ apo grup që keqpërdor fenë për qëllime të ulëta.
Lusim mediat dhe opinionin publik që të jenë korrekt dhe të kujdesshëm në citimet e tyre gjatë raportimit të ngjarjeve të ngjashme. Një individ që është objekt për oganet ligjzbatuese nuk mund të jetë asgjë më shumë se kaq.
Ne distancohemi nga çdo individ që kryen akte të ulëta e të shëmtuara, aq më tepër duke u strukur pas besimit.
Islami është fe e paqes, moralit të lartë dhe drejtësisë!”-thuhet në reagimin e KMSH.
42-vjeçari Dervish Hasi me profesion kirurg, i cili është arrestuar në Tiranë për shfrytëzim prostitucioni me të mitur, kryente marrëdhënie seksuale në grup dhe krijonte video porno. Nga sekuestrimi i aparatit celular, policia zbuloi se të pestë personat kishin hapur një ‘chat’ grup, ku shkëmbenin mesazhet dhe videot që prodhonin së bashku. E mitura kishte 2 vite që frekuentonte banesën e tij, ku kalonte 2-3 ditë. Ai ka deklaruar se është besimtar dhe kishte edhe tre partnere të tjera. Paraprakisht dyshohet se ai e ka manipuluar me terma besimi, duke i premtuar se do te bëhej gruaja e tij e katërt. Policia mori informacion për këtë shfrytëzim dhe ndërhyri kur e mitura shkoi në banesën e 42 vjecarit.
Top Channel