Ekskluzive/ Grup i ri pune në Kuvend, Shalsi: Do kontrollojmë punën e Qeverisë dhe institucioneve të pavarura

19/01/2024 19:32

Shumica socialiste mendon se ka ardhur koha për modernizimin e punës së parlamentit në rolin që i jep Kushtetuta për monitorimin e punës së Qeverisë dhe institucioneve të pavarura që raportojnë në parlament.

Për ta arritur këtë nga grupi parlamentar socialist është ngritur një grup pune, i kryesuar nga Eduard Shalsi, i cili për Top Channel tregon detajet e kësaj iniciative.

“E gjithë kjo iniciativë synon që parlamenti të ngrihet në lartësinë që i njeh kushtetuta por edhe të ndërmarrë në këto momente të rëndësishme të anëtarësimit në BE edhe një rol akoma më të rëndësishëm. Për këtë duhen kapacitete për shkak të volumit të punës së shtuar, për shkak të dhjetëra ligjeve por duhet mbi të gjitha ekspertizë. Ekspertiza është mjaft e rëndësishme. Ndaj është e domosdoshme që të kalojë në një nivel të ri puna e parlamentit, puna e komisioneve. Domosdoshmëria e përfshirjes së profesionistëve, ekspertëve është e tillë që nuk do të mund të përmbushë të gjitha pritshmëritë e qytetarëve apo ato që lindin nga procesi i integrimit”, tha Eduard Shalsi.

Por sa i prek ky modernizim organet e pavarura të cilat raportojnë në Kuvend?

“Roli dhe rolet e Kuvendit dhe përgjegjësitë e kuvendit janë të përcaktuara. Nuk do të mund të marrë ndonjë rol shtesë Kuvendi.  Ajo që do të duhet të ndodhë është që të rriten kapacitetet për të monitoruar, skrutinuar, kontrolluar punën e qeverisë dhe të institucioneve të ndryshme të pavarura siç bëjnë”, shtoi Shalsi.

Në korridoret e politikës kjo iniciativë e socialistëve ka nisur të komentohet si një përpjekje kontrolli ndaj organeve të reja të drejtësisë. Por si e shikon Eduard Shalsi këtë pretendim?

“Është thjeshtë në rastin më të mirë mos-kuptimësi në rastin më të keq një keqdashje në të kuptuar . Shumë e thjeshtë. Parlamenti do të duhet të modernizohet. Duhet të ngrihet në lartësinë e sfidave të kohës. Do të duhet që të luaj rolin që i beson kushtetuta”, tregon ai.

Janë një mori me institucione të pavarura të cilat i raportojnë Kuvendit të Shqipërisë përfshi të gjitha organet e reja në drejtësi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA