Emisioni Fiks Fare solli shqetësimin e shoferëve të 2 autoambulancave në Qendrën Shëndetësore të Rrogozhinës të cilët mbulojnë shërbimin 24 orësh, dhe nuk paguhen për orët e punës që bëjnë.
Rrahman Tosku shofer prej 3 vitesh në Qendrën Shëndetësore Rrogozhinë, tregon se janë 2 shoferë gjithsej që mbulojnë shërbimin 24/7 ,madje prej nisjes së punës nuk ka patur asnjëherë ditë pushimi. “Unë në kontratë e kam 40 orë pune në javë , unë punoj 12 orë punë në ditë që i bie gati 90 ore punë në javë, nuk kam asnjë ditë pushim, nuk bëj leje të zakonshme, jam ankuar dhe nuk kam marrë asnjë zgjidhje” thotë Tosku.
Fiksi siguroi kontratën e punës në bazë të së cilës ai paguhet 42 mijë lekë në muaj dhe duhet të punojë 40 orë në javë.
Po ashtu në kontratë përcaktohet qartë se shoferët duhet të punojnë 6 orë e 10 minuta në ditë.
Ndërkohë në përgjigjen që Fondi i Kujdesit të Detyrueshëm shëndetësor thotë se ky shërbim është 24/7, duke bërë të qartë se me aq orë sa shkruhen në kontratë për të mbuluar shërbimin duhen 4 shoferë.
Por po në të njëjtën shkresë thotë se në strukturë janë vetëm 2 shoferë të miratuar. Pra Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor me këtë dokument ose pranon që shërbimi mbetet pa mbuluar, ose se shoferët shfrytëzohen.
Drejtori i Qendrës Shëndetësore Rrogozhinë, Bledar Ajdini në një telefonatë me gazetarët tregoi se e njeh problemin dhe e ka adresuar shpesh herë me shkresa më lart.
Por sipas tij ai nuk ka marrë asnjëherë përgjigje.
Ai pranon se shërbimi mbetet pa mbuluar nëse shoferët respektojnë kontratën, ndaj janë të detyruar të punojnë 2- fishin e orëve që i detyron kontrata.
Top Channel