Detaje nga tragjedia në Indi/ Vdiqën 12 nxënës dhe dy mësues pasi iu përmbys varka në liqen, prindërit në lot: Nuk iu dhanë jelek shpëtimi

19/01/2024 09:00

Prindërit e nxënësve të shkollës që ishin në varkën që u përmbys në një liqen në shtetin Gujarat të Indisë, kanë pretenduar se fëmijëve të tyre nuk u janë dhënë jelek shpëtimi.

Të paktën 12 nxënës dhe dy mësues u mbytën në incidentin, i cili ndodhi të enjten në liqenin Harni në qytetin Vadodara. Në lidhje me ngjarjen policia ka arrestuar dy persona. Vijojnë operacionet e kërkimit për gjetjen e viktimave të mbetura. Tetëmbëdhjetë nxënës dhe dy mësues janë shpëtuar deri më tani dhe po i nënshtrohen trajtimit në një spital aty pranë, thonë autoritetet.

Ndërsa shkaku i incidentit nuk dihet ende, dëshmitarët okularë thonë se anija ishte e mbushur përtej kapacitetit të saj prej 14 pasagjerësh. Prindër kanë akuzuar autoritetet se rrezikojnë jetën e fëmijëve të tyre duke shkelur normat e sigurisë. Asma Sheikh, një e afërme e një studenti të shpëtuar, tha për BBC se pavarësisht se u tha për një piknik dhe shëtitje me varkë, autoritetet e shkollës dyshohet se nuk u dhanë jelek shpëtimi studentëve.

Ministri federal Harsh Sanghvi tha se vetëm 10 studentë në varkë kishin veshur një jelek shpëtimi, që do të thotë se shumica e pasagjerëve ishin pa to. Kur BBC Gujarati vizitoi vendin e aksidentit të enjten, disa prindër ishin mbledhur pranë liqenit. Shumë prej tyre pyetën pse studentët u lejuan të hipnin në varkë pa pajisje adekuate sigurie.

“Ky incident është rezultat i neglizhencës…ka përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të sistemit, qeverisë dhe shkollës,” tha një prind.

Disa prindër kanë pretenduar se nuk ishin të informuar për udhëtimin me varkë dhe incidentin. Naushin Gandhi, motra e një prej studentëve që vdiq, tha për gazetën The Times of India se shkolla i kishte informuar se studentët do të dërgoheshin në një park ujor, por më pas i çoi në një liqen.

“Që nga tragjedia, unë u përpoqa dëshpërimisht të kontaktoja autoritetet e shkollës, por askush nuk u përgjigj,” tha ajo.

Disa prindër pretenduan se incidente të tilla, të cilat rezultojnë nga neglizhenca e autoriteteve Gujarat, po ndodhnin “shpesh”. Në tetor, të paktën 135 njerëz vdiqën pasi një urë e varur për këmbësorë u shemb në Morbi. Z. Sanghvi ka fajësuar operatorin e varkës dhe kontraktorin për incidentin e fundit dhe tha se nuk mund të quhet “gabim”. Qeveria e Gujarat ka urdhëruar një hetim për incidentin dhe ka kërkuar një raport brenda 10 ditëve.

Sipas raportimeve të mediave lokale, rreth 80 nxënës nga Neë Sunrise School kishin shkuar në piknik dhe ndërsa disa studentë shkuan në shëtitje me varkë, të tjerët ishin të angazhuar në aktivitete të tjera. Një zyrtar tha për BBC Gujarati se anija filloi të anonte sepse kishte një problem me “balancën” e saj dhe më pas u përmbys. Aksidentet me varka nuk janë të rralla në Indi, ku anijet shpesh janë të mbipopulluara, të keq-mbajtura dhe nuk kanë pajisje sigurie. Vitin e kaluar, 22 persona vdiqën pasi një varkë u përmbys në shtetin jugor të Indisë Kerala .

FOTO GALERI
1/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA