Para nisjes së mbledhjes, të paftuar, në bazë të skenarit të vendosur nga takimi i grupit parlamentar të PD, “Rithemelimi” dhe deputetët e Gazment Bardhit zunë vendet e anëtarëve të Komisionit.
Bashkëkryetar të përkohshëm u bënë Albana Vokshi dhe Lindita Metaliaj, teksa Damian Gjiknuri qëndronte në pritje të lirimit të karriges në këmbë; ndërsa Enkelejd Alibeaj zgjodhi që shfaqjen ta shquante nga selia me qira, pa u bërë pjesë e saj. Socialistët nuk bënë rezistencë në luftën e brendshme të demokratëve për përbërjen e komisionit.
I pari që u largua ishte Blendi Klosi.
Në minutën e 15-të të takimit të anëtarëve të komisionit zgjedhor, Damian Gjiknuri e pa të pamundur zhvillimin e axhendës dhe e anuloi mbledhjen pa nisur; por ai është i sigurt se edhe pa ta reforma zgjedhore do të realizohet.
“Bylykbashin nuk e kishin sjellë. As Alibeajn nuk e lejuan të vijë, për shkak të akteve të tyre vandale. Opozita do të ecë para dhe nëse opozita nuk do të marrë pjesë, do ta gjejmë një mënyrë për ta çuar reformën përpara”.
Fajin për bllokimin e komisionit të reformës zgjedhore ka emra të ndryshëm për dy grupimet e PD, duke akuzuar njëri tjetrin se po përdoren nga kryeministri Edi Rama për të mos pasur në 2025 zgjedhje të lira.
“Ne u kemi dhënë besimin për dy vite kolegëve të bënin reformën zgjedhore dhe ata e mbajtën të bllokuar për dy vite. Sot opozita nuk ka bllokuar reformën. Është mazhoranca që ka bllokuar pjesëmarrjen e opozitës. Nëse ne nuk do të ngrinim zërin, sot zgjedhorja do të ishte një temë e varrosur”.
“PS dhe segmente te opozitës janë të interesuar ta mbajnë peng këtë proces. Të parët për të siguruar zgjatjen e pushtetit dhe të dytët duke bërë lojëra qe lidhen me interesa personale. Kryetarja e Kuvendit duhet te siguroje mbarëvajtjen e procesit një orë e më parë”, tha Enkelejd Alibeajn.
Deputetët e Sali Berishës kërkojnë zhbërjen e komisionit dhe përfaqësimin me anëtarë të rinj prej grupimit të tyre aty, mirëpo grupi i Lulzim Bashës është i vendosur se demokratët kanë zgjedhur bashkëkryetar Enkelejd Alibeajn.
Situatën brenda Partisë Demokratike,ministrja për marrëdhëniet me parlamentin, Elisa Spiropali e përshkruan si përballja e cjepërve brirë më brirë në mungesë të dialogut. Kreu i grupit parlamentar të PS, Bledi Cuci këtë përplasje të sotme nuk e sheh si pengesë për të vijuar punën e komisionit të reformës zgjedhore.
“Të dyja palët e partisë së bërë copë e çikë përveçse zhyten më keq në krizën ku kanë rënë prej vulës së humbur dhe sikletit me drejtësinë e re, nuk e pengojnë dot as reformën zgjedhore dhe as jetën parlamentare”, reagoi ai.
Të gjitha partitë flasin se duan reformën zgjedhore, por ajo është në ngërç prej dy vitesh tashmë. Alibeaj është i vetmi që ka shpalosur propozimet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor ku kërkojnë lista të hapura, barazi votash, votim e numërim elektronik dhe votën e diasporën. Socialistët ende e kanë në sirtar draftin e propozimeve, ndërsa grupi i Bardhit është i vendosur se nuk do të lejojë të ketë komision zgjedhor funksional nëse nuk ndryshon përbërja e tij.
Top Channel