Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku mori pjesë në Ministrialin për Europën Qendrore dhe Juglindore për intekonektivitetin energjetik në Athinë.
Në Ministerial, u diskutua dekarbonizimi dhe siguria energjetike. Sipas Ballukut, Shqipëria është kampione në fushën e përdorimit të energjisë së rinovueshme, teksa renditet e treta nga Eurostat, pas Suedisë dhe Finlandës.
Nëpërmjet një vidoemesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale, Balluku tregoi se në Ministerial ka prezantuar të dhënat se Shqipëria ka të angazhuar 1 gigavat në energji të rinovueshme “përmes ankandeve transparente që ne jemi duke implementuar në vendin tonë, sigurisht me mbështetjen e partnerëve tanë të Bashkimit Europian apo edhe të bankave europiane”.
“Kemi diskutuar përsa i përket asaj që është shumë e rëndësishme, këto kapacitete të cilat ngrihen dita ditës kanë nevojë për interkonjeksion. Një interkonjeksion që tashmë po shkon në një nivel tjetër. Shqipëria ka nisur punën për projektin e ndërlidhjes energjetike me Maqedoninë e Veriut. Nga ana tjetër, Shqipëria është duke punuar ngushtësisht për të nisur projektin me Greqinë për të dyfishuar linjën e transmetimit dhe në ndërkohë, kam ndarë gjithashtu me kolegët e mi, dhe lajmin e mirë që së bashku me Operatorin e Transmetimit Italian, Operatori i Transmetimit Shqiptar është duke nisur një studim fizibiliteti përsa i përket linjës nënujore që do të lidhë Shqipërinë dhe Italinë.
Duke dëgjuar të gjitha planet e së ardhmes, duke dëgjuar të gjithë angazhimin e palës greke në këtë rast përsa i përket linjave të interkonjeksionit për të lidhur kështu Greqinë me Qipron dhe më pas me Izraelin, Greqinë me Arabinë Saudite apo Greqinë më vende të tjera na bën besimplotë se përmes këtij bashkëpunimi rajonal ne do të përfitojmë edhe nga projektet të cilat po zhvillohen në vendet fqinje”.
Sipas ministres, prioritet mbeten përafrimet ligjore që të gjitha shtetet të cilat aspirojnë të jenë anëtare të Bashkimit Europian duhet të përmbushin në muajt në vazhdim.
Top Channel