Presidenti vizitë zyrtare në Shijak, takim me nxënësit: E nesërmja ka një shpresë

19/01/2024 16:05

Presidenti Bajram Begaj, për herë të parë në një vizitë zyrtare në Shijak, bisedoi me autoritetet lokale, qytetarët, sipërmarrës, nxënës e mësues.

Begaj vizitoi gjithashtu shkollat e rindërtuara pas tërmetit, ndërsa u takua me mësues e nxënës, ku me këta të fundit u tha që duhet të kenë “respekt ndaj mësueseve dhe të ndjekin modelet profesionale për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri”.

Kryetari i Bashkisë, z. Elton Arbana, i uroi mirëseardhjen Begajt, ndërsa e falenderoi “për vëmendjen që tregoi ndaj qytetit, që përfundoi procesin e rindërtimit në Shqipëri pas tërmetit”.

“Nëse ne jemi frymëzyes, e nesërmja ka më shumë shpresë”, – u shpreh Presidenti Begaj, duke theksuar domodsoshmërinë e arsimit cilësor në përgatitjen e brezave.

Në vijim të nismës për librin shqip, Presidenti i Republikës dhe Zonja e Parë dhuruan për bibliotekat e tri shkollave në Shijak rreth 150 tituj didaktikë dhe letrarë.

Begaj theksoi, gjithashtu, rëndësinë që ka arsimi profesional për të rinjtë, si një mundësi për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri. Një model i tillë ishin edhe dy biznese të vogla në qendër të qytetit, të cilat funksionojnë prej dekadash si trashëgim familjar. Presidenti takoi një orëndreqëse, e cila profesionin e trashëgoi nga i ati, që hapi dyqanin para 75 vjetësh dhe po ashtu një pastiçeri, që ofron ëmbëlsira cilësore që nga viti 1985, të prodhuara në mënyrë artizanale.

Gjatë vizitës Presidenti ndoqi dhe një ekspozitë të vëllezërve piktorë Faja, të bijtë e artistit emblemë të këtij qyteti,“ Piktorit të Merituar”, Agim Faja. Ekspozita “Ç’po luftojnë siç u ka hije, burrat trima t’ksaj nahije”, i dedikohet rolit dhe kontributit të luftëtarëve të kësaj zone në 110- vjetorin e Luftës së Shkodrës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA