Në atë që shihet si përgjigja e parë e saj ndaj zgjedhjes së kandidatit pro-mëvetësisë Lai Ching-te si president i Tajvanit fundjavën e kaluar, Kina organizoi manovrat e saj më të mëdha ushtarake në tre javë rreth ishullit.
Ushtria Çlirimtare Popullore zhvilloi patrullime ajrore dhe detare pranë ishullit me 24 avionë dhe pesë anije të Marinës. Sipas ministrisë tajvaneze të mbrojtjes, “11 prej avionëve e kaluan vijën e ngushticës së Tajvanit e hynë në zonën e identifikimit të mbrojtjes ajrore jugperëndimore dhe veriore të tij. Kjo pjesë e ngushticës më parë shërbente si një vijë ndarëse jozyrtare mes dy palëve, por tani Kina thotë se nuk e njeh ekzistencën e vijës ndarëse.
Në total, janë numëruar 18 avionë të forcave ajrore kineze, mes tyre edhe Su-30 që fluturonin rreth ishullit dhe kryenin patrullime të gatishmërisë luftarake në koordinim me luftanijet kineze. Pekini e sheh Tajvanin si territorin e saj, e gjatë katër viteve të fundit ka zhvilluar rregullisht manovra me avionë dhe anije luftarake përreth ishullit, ndërsa pretendimet e tij territoriale janë zbrapsur vazhdimisht nga qeveria e Tajvanit. President i ri i zgjedhur të shtunën, Lai Ching-te, i Partisë Progresive Demokratike në pushtet, është cilësuar vazhdimisht nga Kina si një separatist të rrezikshëm dhe nxitës të luftës.
Shtetet e Bashkuara njoftuan se po ndjekin nga afër veprimet e Kinës ndërsa Uashingtoni i ka bërë thirrje Pekinit që mos t’i shfrytëzojë zgjedhjet e Tajvanit si “pretekst për përshkallëzim”.
Top Channel