Marrëveshja Shqipëri-Itali për emigrantët/ Kërkesa e 30 deputetëve të opozitës shqyrtohet sot në Gjykatën Kushtetuese

18/01/2024 09:24

Institucioni më i lartë gjyqësor në Shqipëri pritet të thotë fjalën e vet dhe të vendosë mbi fatin e marrëveshjes Rama-Meloni aq shumë të debatuar për strehimin e të paktën tre mijë refugjatëve që kapen në tentativë për të hyrë ilegalisht në brigjet italiane, në dy qendra që do të ngrihen në veri-perëndim të vendit.

30 deputetë të opozitës e konsiderojnë marrëveshjen mes dy vendeve si cënuese të Kushtetutës së Shqipërisë por dhe të ligjit ndërkombëtar. Që pas firmosjes së marrëveshjes në Romë nëntorin e vitit të shkuar, ekspertë vendas dhe të huaj u shprehën skeptikë për një marrëveshje e cila i jep të drejtën e plotë Italisë për menaxhimin e krizës së emigrantëve, duke shfrytëzuar një territor të huaj të një shteti fqinj si Shqipëria, që nuk është vend anëtar i Bashkimit Europian.

Shkelje ligjesh, cënim i sigurisë

Sipas Dorian Matlisë, jurist dhe drejtues i qendrës ligjore “Res Publica”, aspekti i parë ka të bëjë me abuzimin e parimit të ekstra-territorialitetit. “Në rastin konkret, Shqipëria do të jetë pjesë e shtetit Italian, dhe jo më e shtetit shqiptar. Që do të thotë që do të aplikohet legjislacioni Italian. Çdo gjë që ka të bëjë më të drejtat civile, trajtimet e veprave penale që mund të ndodhin aty, gjithçka do të jetë në zbatim të ligjit Italian.

Tirana | Dorian Matlija, jurist dhe drejtues i qendrës ligjore "Res Publica”
Dorian Matlia, jurist dhe drejtues i qendrës ligjore “Res Publica”Fotografi: Kristi Çavo

Ky parim zbatohet zakonisht vetëm për rastet e ambasadave, që janë territore të vogla, të kontrolluara dhe me njerëz që janë të akredituar nga shteti i tyre por nuk përdoret për të sjellë një numër të madh refugjatësh, kur nuk ke asnjë informacion se çfarë kontigjenti janë, sepse mund të ketë njerëz shumë të mirë por edhe njerëz të kontigjentit kriminal” – analizon ai për Deutsche Welle.

Kjo, sipas Matlisë, mund të konsiderohet edhe “tokë e humbur”. “Shteti tjetër e shndërron në kamp atë territor dhe bën me të ç’të dojë. Zëre se e jep me koncension atë territor, por një koncension pa afat” – shprehet eksperti ligjor Matlija.

Skepticizëm dhe pasiguri

Eksperti për çështjet e sigurisë, Arjan Dyrmishi, njëkohësisht drejtues i “Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes”, e sheh gjithashtu me skepticizëm marrëveshjen dhe implementin e saj. “Ky kapacitet prej 3 mijë vetësh që do të ngrihet, çfarë shkalle popullimi do të ketë? A do të ketë mbipopullim? Cili do të jetë kontakti me pjesën e jashtme, sepse do të jetë në territor shqiptar. Do të ketë nevojë për furnizime, ushqime etj. Do të jetë si një lloj burgu, por ata njerëz nuk janë të burgosur, ata thjesht do të strehohen këtu.

Tirana | Arjan Dyrmishi, ekspert për çështjet e sigurisë dhe drejtues i "Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes”
Arjan Dyrmishi, ekspert për çështjet e sigurisë dhe drejtues i “Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes”Fotografi: Kristi Çavo

Janë të pashmangshme marrëdhëniet e tyre me territorin ku do të vendosen dhe këto ngelen të paqarta. Sigurisht në marrëveshje thuhet se Shqipëria do të sigurojë perimetrin, por kjo ka të bëjë vetëm me mosarratisjen. Por ne kemi parë që edhe në burgjet e sigurisë së lartë ndodhin incidente” – thotë Dyrmishi për DW.

Precedent për shtetet e tjera europiane?

Eksperti i ligjeve, Matlija, është plot shpresë se Gjykata Kushtetuesë do ta shfuqizojë këtë marrëveshje, sepse në të kundërt hapja e rrugës e ratifikimit të saj në Kuvend, do të shënonte një precedent të rrezikshëm edhe për të ardhmen.

“Nëse Gjykata Kushtetuese nuk do të vërë një fre sot, atëherë ky do të kthehet në një precedent shumë të keq, që do të sillte nesër edhe një numër më të madh refugjatësh, duke zgjeruar gjithmonë e më tepër këtë marrje toke, territori, duke sjellë mbase dhe ata më problematikët në Shqipëri. Dhe duke parasysh që kriza e emigrantëve të Europë sa vjen e thellohet, kjo nënkupton që dhe nevoja e shteteve të tjera europiane, jo vetëm e Italisë, do të vijë duke u shtuar”.

Lampedusa, Itali | Refugjatë në tentativë për të hyrë ilegalisht në brigjet italiane
Lampedusa: Refugjatë në tentativë për të hyrë ilegalisht në brigjet italianeFotografi: Yara Nardi/REUTERS

“Nuk mendoj që kjo marrëveshje do ta bënte tërheqëse Shqipërinë për marrëveshje me shtete të tjera. Unë mendoj që problemi aktual më të cilin vendet e Bashkimit Europian po përballen, është i madh. E ka vendosur në një presion shumë të madh strukturën politike të këtyre vendeve dhe vendimmarrjen brenda BE-së përsa i përket migracionit” – përfundon Dyrmishi./DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA