Ekskluzive në “Inside Story”/ Dyshime për terrorizëm, klerikë radikalë financime nga Lindja e Mesme për prona luksoze

18/01/2024 12:03

“Inside Story”, ka siguruar disa dokumente sekrete që zbulojnë se si në vendin tonë, hyjnë financime të mëdha të dyshimta, që mbështesin grupime të pavarura nga Komuniteti Musliman.

Këto grupime, kanë blerë ndër vite prona të shumta me vlerë miliona euro, ndërtojnë xhami pa leje, shpërndajnë libra apo botime të ndryshme që nxisin rryma radikale të besimit. Hetimet e strukturave inteligjente u çelën në fund të vitit 2017 kur mendohej se shumë prej luftëtarëve shqiptarë që iu bashkuan ISIS, do të ktheheshin në atdhe. Ata, shiheshin si kërcënim nga autoritetet pasi ishin indoktrinuar nga grupe ekstremiste.

“Nga zhvillimet e luftimeve në këtë rajon është e pritshme rënia e shpejtë e këtyre territoreve të mbajtura nga këto organizata terroriste. Kjo gjë mund të çoje në kthimin e detyruar të luftëtarëve të mbijetuar drejt vendeve të origjinës. Për këtë arsye u regjistrua dhe procedimi penal. Gjatë hetimeve të këtij procedimi nga ana e oficerëve të Drejtorisë Antiterror në dt.03.08.2018 është referuar informacion shtesë ndaj një shtetasi për financim të terrorizmit”.

Identitetin e personit të hetuar nuk mund ta zbulojmë pasi hetimi nuk është konkluduar dhe kjo mund të cenonte sekretin hetimor. Për momentin, veprimet janë pezulluar. Fjala është për grupime imamësh apo praktikantësh fetarë të cilët veprojnë të pavarur nga Komuniteti Musliman. Pak a shumë, në këtë formë të pavarur vepronin edhe grupi i imamëve që u dënuan disa vite më parë për dërgimin e luftëtarëve në Siri.

“Sektet në Shqipëri kanë funksionuar si nënndarje e bashkësive fetare. Meqë shteti s’ka dhënë të drejtën bashkësive fetare, ata kanë kërkuar të drejtën e tyre. Sektet përgjithësisht e kanë pas emërtuar mbi një personazh që ka qenë dikur klerik që ishte lider i atij sekti dhe kur shënoheshin në hipotekë në atë kohë janë shënuar 4 në emër të një personazhi… alvetitë kishin emër konkret të pronësisë mbi tokën dhe kështu komuniteti mysliman e humbi atë tokë sepse e kishte një individ që i përkiste”- u shpreh Ilir Dizdari, ish-drejtues i Komitetit Shtetëror të Kulteve.

Referuar dosjes hetimore, në një dokument sqarohet se personi i hetuar për indoktrinimin e qytetarëve, merrte financime nga shtetet e Kuvajtit dhe Arabisë Saudite. Me këto para, ndërtoheshin xhami pa lejen e autoriteteve. Këto objekte kulti, shndërroheshin në shtëpinë e besimit për qindra besimtarë që praktikonin rryma radikale. Aty, shpërndaheshin edhe libra që botoheshin me këto financime.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA