Dekreti i Presidentit për Ligjin e Komisioneve Hetimore, reagon Tabaku: Shans i humbur për të pasur konsensus

18/01/2024 16:40

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, ka reaguar pas dekretimit të Ligjit për Komisionet Hetimore nga presidenti Bajram Begaj. duke e cilësuar shans të humbur për pasur një ligj konsensual për të rregulluar funksionet kushtetuese të Kuvendit.

“Dekretimi nga Presidenti i Ligjit për Komisionet Hetimore është një shans i humbur për të pasur një ligj jo vetëm konsensual për të rregulluar funksionet kushtetuese të Kuvendit por gjithashtu edhe një ligj gjithpërfshirës në shërbim të mekanizmave të balancës dhe kontrollit që ka pushteti legjislativ ndaj atij ekzekutiv. Ky dekret nuk do të thotë aspak që ligji i miratuar me votat e socialistëve nuk është në kundërshtim me Kushtetutën dhe në antagonizëm të plotë me frymën e integrimit Europian”, shkruan Tabaku në reagimin e saj.

Më herët, reagoi edhe Gazment Bardhi, që e cilësoi të turpshëm dekretimin e ligjit për komisionet hetimore nga presidenti Begaj.

“Nëse lexoni njoftimin e Presidentit do të gjeni parimin që presidenti ka mbi zbatimin e kushtetutës. Shpallja e ligjit sot është bërë në parimin që nëse Rama do të jepte dakordësinë për ta rishikuar, presidenti do gjente argumente kushtetues për ta kthyer ligjin. Ka qenë mazhoranca ajo, që nuk ka patur asnjë reflektim, por në të kundërt ka shtuar masat arrogante ndaj opozitës. Prandaj dhe Begaj pas sjelljes së tij të hënën, unë e kam njoftuar kabinetin e Presidentit, mbi atë që do të bënim në seancë dhe ishte zgjedhja e tij që të keqpërdorej nga Rama. Sot Presidenti humbi mundësinë të jetë mbi palët dhe të jetë garant i kushtetutës. Pra nëse ne bie dakord me mazhorancën presidenti e kthen ligjin për rishqyrtim. Në fakt detyra është ta kthejë kur konstaton problematika dhe vetë presidenti ka konstatuar problematika. Është Akt i turpshëm i presidentit, i cili jo vetëm vendosi të miratojë dhe të shpallë me ligj antikushtetuese, i bëj thirrje të ngrihet në lartësi, i dha fund shansit që i kishim dhënë presidentit që ta përmbushte këtë mision. Nëse do të kishte kompromis do ta kishim mbyllur vetë këtë çështje, roli është për të qenë mbi palët jashtë njërës apo tjetrës palë”.

Presidenti Bajram Begaj vendosi sot dekretimin e ligjit për komisionet hetimore.

E gjithë opozita i kërkoi Presidentit të Republikës mos dekretimin e ndryshimeve në ligjin për komisionet hetimore. Një mos dekretim mund të shërbente për zhbllokimin e kaosit parlamentar nga ku opozita si kërkesë parësore ka pikërisht ngritjen e 8 komisioneve hetimore të refuzuara nga shumica socialiste.

Por mesditën e të enjtes kreu shtetit Bajram Begaj dekretoi ligjin për “Funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit” duke mos marrë në konsideratë kërkesën e opozitës. Këtë dekretim presidenti e shoqëroi me një argumentim të gjatë sa teknik por edhe politik duke theksuar se nuk ka gjetur shkelje të Kushtetutës. Kthimi i ligjeve për shqyrtim thotë presidenti nuk është instrumenti kushtetues që i është dhënë Presidentit të Republikës për të lehtësuar dialogun.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA