Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas dekretimit të ndryshimeve në ligjin për komisionet hetimore Parlamentare nga presidenti Bajram Begaj, duke u shprehur se ‘ka mbaruar koha kur presidenti bashkëudhëhiqte revolucionet imagjinare kundër qeverisë e në dëm të Shqipërisë’.
Në një reagim në rrjetin “X”, Rama iu është përgjigjur akuzave të opozitës, duke shtuar se do mbarojë “ora e keqkuptimit të madh të politikës së ditës, mes punës mendore të parlamentarëve dhe aktivitetit fizik të tyre në sallën e Kuvendit të Shqipërisë”.
“Koha politike kur Presidenti i Republikës bashkëudhëhiqte revolucionet imagjinare kundër qeverisë e në dëm të Shqipërisë, duke e përdorur Kushtetutën si koktej Molotov ka perënduar me kohë, siç do të mbaroje po njësoj, më shpejt se sa vonë, edhe ora e keqkuptimit të madh të politikës së ditës, mes punës mendore të parlamentarëve dhe aktivitetit fizik të tyre në sallën e Kuvendit të Shqipërisë!
Shqipëria është në një kohë tjetër dhe ky vit është kyç për rritjen e mëtejshme të pagave, investimeve publike e atyre private, të brendshme a të huaja, turizmit që në 2023 arriti rekordin fantastik të 10 milionë vizitorëve nga jashtë, e me radhë, prandaj ky vend s’ka asnjë sekondë për të humbur me askënd që vazhdon me orën e vjetër, duke kërkuar nëpër rrugicat e ngushta të Kuvendit a të zonës rreth tij, rikthimin e kohës së vdekur.“-thuhet në reagimin e Ramës.
Presidenti Bajram Begaj vendosi sot dekretimin e ligjit për komisionet hetimore. E gjithë opozita i kërkoi Presidentit të Republikës mos dekretimin e ndryshimeve në ligjin për komisionet hetimore. Një mos dekretim mund të shërbente për zhbllokimin e kaosit parlamentar nga ku opozita si kërkesë parësore ka pikërisht ngritjen e 8 komisioneve hetimore të refuzuara nga shumica socialiste.
Por mesditën e të enjtes kreu shtetit Bajram Begaj dekretoi ligjin për “Funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit” duke mos marrë në konsideratë kërkesën e opozitës. Këtë dekretim presidenti e shoqëroi me një argumentim të gjatë sa teknik por edhe politik duke theksuar se nuk ka gjetur shkelje të Kushtetutës. Kthimi i ligjeve për shqyrtim thotë presidenti nuk është instrumenti kushtetues që i është dhënë Presidentit të Republikës për të lehtësuar dialogun.
Top Channel