Bardhi i kundërpërgjigjet kryeministrit: Rama nuk e fsheh më rolin e tij, edhe si president i Republikës

18/01/2024 18:20

Pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama se “‘ka mbaruar koha kur presidenti bashkudhëhiqte revolucionet imagjinare kundër qeverisë e në dëm të Shqipërisë”, reagimin e parë nga demokratët e bëri Gazment Bardhi.

Sipas Bardhit, kryeministri po tregon çfarë mund dhe çfarë nuk mund të bëjë presidenti i Republikës. Në kundërpërgjigjen e tij, demokrati shkruan se “koha kur Shqipëria pretendonte të ishte si gjithë Europa, po perëndon gjatë qeverisjes së Edi Ramës”.

E kuptojmë plotësisht që Edi Rama nuk e fsheh më rolin e tij, edhe si president i Republikës! Ai na tregon çfarë mund dhe çfarë nuk mund të bëjë presidenti i Republikës. Avokatia ndaj aktit antikushtetues, të njëanshëm dhe të turpshëm të presidentit të Republikës, provon atë që opozita thotë: Edi Rama është urdhëruesi i shpalljes së ligjit sot, me justifikimin absurd të shkruar në arsyetimin e Presidentit që Edi Rama nuk dëshiron të rishohë ligjin. Edhe që Edi Rama nuk dëshiron të rishikohet ligji, e kuptojmë, sepse është ai që ka bllokuar kontrollin parlamentar ndaj ekzekutivit.

Si mund të jetë dakord Edi Rama që të kontrollohet ndërhyrja e paligjshme në sistemin TIMS, për të fshirë lidhjet e vëllait të tij, Olsi Rama, me trafikun e drogës në dosjen ‘Xibraka’; si mund të jetë dakord Edi Rama të kontrollohet që, në kontratat koncesionare të shëndetësisë, miliona euro shkojnë në xhepat e Ilir Beqajt dhe jo për shërbime shëndetësore për qytetarët shqiptarë; si mund të jetë dakord Edi Rama të kontrollohet zbatimi i ligjit për investimet strategjike, me të cilin ka shpallur investitor vetëm miq e shokë të tij, përfshirë trafikantë droge e urdhërues vrasjesh?!

Koha kur Shqipëria pretendonte të ishte si gjithë Europa, po perëndon gjatë qeverisjes së Edi Ramës. Tani jemi në garë nëse do t’u bashkohemi standardeve të Rusisë apo Koresë së Veriut. Opozita po bën betejë që kjo të mos ndodhë dhe jemi të vendosur për t’u përballur, që të mos lejojmë ta zëvendësojmë demokracinë me autokracinë!

Më herët, në një reagim në rrjetin “X”, Rama iu përgjigj akuzave të opozitës, duke shtuar se do mbarojë “ora e keqkuptimit të madh të politikës së ditës, mes punës mendore të parlamentarëve dhe aktivitetit fizik të tyre në sallën e Kuvendit të Shqipërisë”.

“Koha politike kur Presidenti i Republikës bashkëudhëhiqte revolucionet imagjinare kundër qeverisë e në dëm të Shqipërisë, duke e përdorur Kushtetutën si koktej Molotov ka perënduar me kohë, siç do të mbaroje po njësoj, më shpejt se sa vonë, edhe ora e keqkuptimit të madh të politikës së ditës, mes punës mendore të parlamentarëve dhe aktivitetit fizik të tyre në sallën e Kuvendit të Shqipërisë! Shqipëria është në një kohë tjetër dhe ky vit është kyç për rritjen e mëtejshme të pagave, investimeve publike e atyre private, të brendshme a të huaja, turizmit që në 2023 arriti rekordin fantastik të 10 milionë vizitorëve nga jashtë, e me radhë, prandaj ky vend s’ka asnjë sekondë për të humbur me askënd që vazhdon me orën e vjetër, duke kërkuar nëpër rrugicat e ngushta të Kuvendit a të zonës rreth tij, rikthimin e kohës së vdekur”.

Presidenti Bajram Begaj vendosi sot dekretimin e ligjit për komisionet hetimore. E gjithë opozita i kërkoi Presidentit të Republikës mos dekretimin e ndryshimeve në ligjin për komisionet hetimore. Një mos dekretim mund të shërbente për zhbllokimin e kaosit parlamentar nga ku opozita si kërkesë parësore ka pikërisht ngritjen e 8 komisioneve hetimore të refuzuara nga shumica socialiste.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA