“Të gjobiten rekurs-bërësit”/ Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë i drejtohet Gjykatës së Lartë: Po shfajësoheni për vonesat dhe po cenoni…

17/01/2024 13:38

Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë ka reaguar lidhur me deklaratën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese për bilancin e vitit 2023, ku deklaroi se paraqitja e rekurseve që nuk arrijnë të kalojnë testin e pranueshmërisë, ishte një nga problemet më të mëdha gjatë vitit.

“Mënyra se si paraqiten rekurset përbën një problem tepër serioz që dëshmon për nivelin e ulët profesional të përfaqësimit. Pavarësisht masave që merr Gjykata e Lartë, qoftë edhe me gjobitjen e avokatëve, paraqitet i domosdoshëm ndryshimi i mentalitetit juridik, por edhe kuptimi për mjetet e ankimit, në përgjithësi dhe rekursit, në veçanti”- ishte deklarata e Sokol Sadushit, që Dhoma e Avokatisë e cilëson të papranueshme dhe shfajësim nga vonesat.

Dhoma e Avokatisë thotë se reagimi vjen me vonesë për shkak të ‘pritjes të reflektimit nëpërmjet kërkimit të ndjesës publike, duke e konsideruar atë si një lapsus.’  ‘Duke fajësuar rekurset e bëra pa të drejtë nga avokatët u shfajësuat lidhur me vonesat e gjykimit të çështjeve në Gjykatën e Lartë e për rrjedhojë edhe të stokut të krijuar ndër vite’-thuhet në deklaratë, ku listohen edhe cenimet e të drejtave.

Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë nëpërmjet kësaj deklarate, me keqardhje dhe shqetësim të madh bën me dije gjithë opinionin publik dhe komunitetin e juristëve, qëndrimin e saj në përgjigje të prezantimit në media dy ditë para mbylljes të vitit 2023, të Kryetarit të Gjykatës së Lartë lidhur me instalimin e një praktike unikale dhe te paparë e padëgjuar në praktikën gjyqësore të çdo vendi demokratik apo vendi ne zhvillim, me anën e të cilit, kërkohet të gjobiten të gjithë rekursbërsit, duke nisur nga avokatët në të gjitha ato raste kur rekurset nuk pranohen nga gjykata.
Në emër të avokatëve të Shqipërisë, i drejtohemi Kryetarit te Gjykates se Larte se : “ bërja publike e kësaj deklarate nga Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë duhej të ishte bërë të nesërmen e deklaratës Tuaj dhe jo sot”.
Kjo vonesë, nëse do e quajmë të tillë, ka te bëjë me faktin e pritjes të reflektimit tuaj nepermjet kërkimit të ndjesës publike, duke e konsideruar atë si një lapsus. Mos reflektimi dhe mos tërheqja nga qëndrimit juaj, me shpresën se ky është një qëndrim tërësisht personal na detyroi ne Dhomës e Avokatisë e Shqiperisë të bëjmë të qartë se:
Ju duke fajësuar rekurset e bëra pa të drejtë nga avokatët u shfajësuat lidhur me vonesat e gjykimit të çështjeve në Gjykatën e Lartë e për rrjedhojë edhe të stokut të krijuar ndër vite.
Me ketë kapërcim artificial të shkakut real të stokut, duke e faturuar tek numri i lartë i rekurseve Ju, nuk bëtë prezent shkaqet e vërteta të krijimit të vonesave në gjykim të krijuara në vite.
Ju duhet të ishit transparent dhe të pranonit shkakun real të vonesave e për rrjedhoje të stokut për shkak mosparashikimeve si dhe të mosmanaxhimit të problemeve që do të passillte zbatimi i reformës në drejtësi.
Duam t’ju kujtojmë se reforma në drejtësi u bë për shkak të shumë problemeve të krijuara në vite, veçanërisht korrupsionit që kishte mbërthyer organet e dhënies së drejtesise dhe organet e ngritjes së akuzës, përkatësisht gjyqësorit dhe prokurorisë e aspak të avokateve. Rëndësinë dhe rolin e avokatëve, ju e dini shumë mirë i nderuar Kryetar i Gjykatës së Lartë. Gjithashtu Ju, dhe kushdo e ka të qartë që korrupsioni fillon dhe mbaron atje ku jepet drejtësia dhe jo atje ku kërkohet drejtësi dhe mbrohen interesat legjitime të një palëve në proceset civile, penale e administrative.
Zoti kryetar, Ju dhe kushdo e ka të qartë që avokati përfaqëson dhe shpreh interesat dhe vullnetin e atij që mbron, (klientit), e për rrjedhojë çdo rekurs është shprehje ekskluzive e vullnetit të individit si person fizik apo juridik i cili shpreson tek drejtësia dhe apelon në çdo shkallë te gjykimit përfshi edhe Gjykatën e lartë.
Me këtë deklarim dhe qëndrim Ju cënoni hapur dy te drejta bazike, së pari, të drejtën individit per t’ju drejtuar gjykatave në mënyrën që e vlerson ai në kërkimin e një të drejte dhe së dyti të drejtën per të ushtruar pa kufizim ushtrimin dhe realizimin e mbrojtjes nga avokatët, si dy te drejta themelore të sanksionuar në kushtetute.
Zoti Kryetar, Avokatia është një shërbim i pavarur nga organet e Gjyqësorit dhe Prokurorisë e për rrjedhojë në sallën e gjykimit pozicioni ynë në përfaqësimin e interesave të palëve duhet të jenë të barabrta dhe te trajtohet teresisht dhe s’mund të kufizohen nga vullneti me asnjë akt apo mjet.
Kjo nuk është orvatja e parë dhe e vetme, kohët e fundit në hallkat e gjyqësorit po ngushtohet aksesi i individit në drejtësi e për rrjedhojë edhe ai i ushtrimit të profesionit të avokatit në gjykimin e proceseve penale, civile dhe administrative. Me keqardhje konstatojmë praktikën e instaluar nëpërmjet gjykimit në dhomat e këshillimit pa pjesëmarrjen e avokatëve dhe palëve, praktikë e cila nga e fiksuar në ligj si një gjykim i veçantë është kthyer në gjykim të zakonshëm .
Ju vëmë në dukje se kjo praktikë është në kundërshtim me konventat ndërkombëtare, me kushtetutën tonë dhe me kodet e proçedurave si dhe me praktikën e Gjykatës Europiane të Të Drejtave të Njeriut, lidhur me parimin e një proçesi të drejtë e ligjor. Aty ku barazia e palëve dhe degjimi i tyre drejtëpërdrejtë nga gjykata janë parime gjykimi bazë për marrjen e një vendimi të drejtë bazuar në ligj e prova.
Zoti Kryetar i Gjykatës së Lartë deklarata Juaj përfundimisht sanksionoi qëndrimin e shkallëzuar që i është bërë ndër vite ushtrimit të profesionit të avokatit nga legjislativi nga ekzekutivi dhe tashmë së fundmi edhe nga Ju, duke uruar dhe shpresuar qe deklarata Juaj ishte teresisht personale dhe jo nga trupa e nderuar a Anëtarëve të Gjykatës së Larte, po ju drejtojmë edhe pyetjen:
Deklaruat se keni dhene dënimin me gjobë të avokatëve për paraqitje të rekurseve të pabazuar, po per rekurset e pabazuara te prokurorëve, avokatëve të shtetit dhe institucioneve, a keni dhëne ndonje vendim te tille ?
Se fundmi, sa sipër me keqardhje vlerësojmë se, qëndrimi ndaj institucionit të avokatisë sot, ne një vend që aspiron dhe ka filluar procedurat për anëtarësimin në Bashkimin Europian, është shumë herë më i rëndë nga ajo që ndërmori rregjimi totalitar që lamë pas i cili, hapur mbylli dhe hoqi dhunesisht për 25 vjet institucionin e avokatisë ne procesine e dhënies të drejtësisë“-thuhet në deklaratë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA