Këshilli i Ministrave/ Manastirliu: Miratuam marrëveshjen për hapjen e degës së Kolegjit të Evropës

17/01/2024 12:46

Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë, i hapi rrugë sot ngritjes së Kampusit të Kolegjit të Evropës në Tiranë, me miratimin e marrëveshjes së nënshkruar në qershor të vitit të kaluar mes Ministres së Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu dhe rektores së Kolegjit Evropian Federica Mogherini.

Manastirliu tha pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, se kjo marrëveshje, e cila ka për qëllim të nxisë bashkëpunimin në sektorin e arsimit të lartë dhe ekspertizën në fushën e studimeve evropiane në Shqipëri dhe më gjerë, paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për Shqipërinë për të rritur prezencën e saj në arsimin ndërkombëtar dhe për të forcuar më tej integrimit e programeve studimore me vendet anëtare të BE-së.

“Kemi miratuar një vendim të rëndësishëm për sa i përket dimensionit Evropian të arsimit të lartë, marrëveshjen që bën të mundur hapjen e degës së Kolegjit të Evropës në Tiranë. Hapja e Kampusit të Kolegjit të Evropës në Tiranës do të jetë i treti pas Brugge dhe Natolin dhe kjo jo vetëm që shënon një partneritet strategjik të Shqipërisë dhe institucioneve evropiane, por nga ana tjetër i hap mundësinë studentëve profesionistëve të Shqipërisë por edhe të rinjve të Ballkanit Perëndimor edhe më gjerë, për të studiuar në Tiranë në degën e Kolegjit të Evropës”, tha Manastirliu.

Kampusi i Kolegjit të Evropës në Tiranë do të ofrojë një program akademik të në standarde evropiane për studentët dhe profesionistët nga Shqipëria, rajoni i Ballkanit Perëndimor, Bashkimi Evropian, dhe më gjerë dhe do të hapë ciklin e studimeve duke filluar nga ky vit akademik.

“Dega e Kolegjit të Evropës në Tiranë do t’i hapë studimet për ciklin e studimeve në 2024-2025 në këtë vit akademik. Qeveria shqiptare është e angazhuar që nëpërmjet kësaj marrëveshje të iniciojë gjithashtu edhe të mbështesë të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me ndërtimin e Kampusit të Kolegjit të Evropës në Tiranë dhe gjithashtu do të financojë deri në 5 bursa vjetore të studentët shqiptarë”– tha Manastirliu.

Ministrja e konsideroi si një ngjarje historike për vizion e qeverisë për ndërkombëtarizimin e Universiteteve tona.

“Sigurisht kjo është një ngjarje historike. Për herë të parë një filial i një Kolegji prestigjioz hap degën e tij në Shqipëri jo vetëm për çfarë do të sjellë ky kolegj në aspektin akademik në Shqipëri në funksion të vizionit tonë për ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë dhe për vijimin e programeve tona për hapjen e degëve të Universiteve më prestigjioze.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA