Në raport evidentohet gjithashtu se komuniteti mysliman zotëron 264 ha tokë dhe 1500 rrënjë ullinj.
Komuniteti Bektashian zotëronte 211 ha tokë dhe rreth 900 rrënjë ullinj. Raporti evidenton se janë afërsisht 45 teqe të mbetura, nga të cilat vetëm në Gjirokastër numërohen 17 të tilla, në zonën e Fushë-Krujës janë 9, në zonën e Korçës 10, kurse në zonën e Beratit 9 teqe.
Bektashinjtë kanë 50 ndërtesa banimi me aksesorë, 9 mullinj të kohës që vlerësoheshin 1 milionë e 600 mijë lekë, 2 dyqane dhe pasuri të luajtshme si orendi dhe pajisje me vlerë 320 mijë lekë. Mes pasurive ishin 650 krerë bagëti me vlerë 230 mijë lekë për kohën.
Vlera totale e pronave arrinte në 2 milionë e 150 mijë lekë që për kohën konsiderohej shumë e madhe. Të gjitha u sekuestruan nga regjimi.
“Tani të gjithë teqetë janë mbyllur. Nga pasuritë që kishin një pjesë të hollash dhe orendish u janë dhënë klerikëve që shërbenin në to, kurse pjesa tjetër me proces verbale të rregullt u ka kaluar kooperativave bujqësore. Shumica e klerikëve janë pranuar si anëtarë të kooperativave bujqësore. Edhe teqetë e qyteteve dhe pasuria e tyre, duke hequr një pjesë që kanë marrë klerikët për nevojat e tyre, u kanë kaluar komiteteve ekzekutive të këshillave popullore të rretheve ose qyteteve”.
Në vitin 1967 ishin gjithsej 31 kisha, nga të cilat 8 kisha në famullinë e Shkodrës, 2 në Tiranë, 2 në Bushat, 3 në Dajç e me radhë të vendosura në zona të ndryshme, kryesisht në Veri të vendit. Edhe këto pasuri, u sekuestruan të gjitha.
“Megjithëse në të dhënat që na ka paraqitur kryesia e Kishës nuk bëhet fjalë për qelat , shtojmë se pranë çdo kishe ka nga 1 qelë për priftërinjtë”.
Sipas raportit, Kisha Katolike posedonte 87 ha tokë dhe 340 rrënjë ullinj si dhe pemishte, livadhe e kullota. Ndryshe nga të dhënat për pronat e bektashinjve, pasuritë e katolikëve nuk ishin të detajuara sipas vlerës së tyre.
Ndërkohë, komuniteti ortodoks zotëronte 139 ha tokë dhe 4500 rrënjë ullinj. Kisha Ortodokse posedonte gjithsej si pasuri të paluajtshme 600 kisha qytetesh dhe fshatrash si edhe 8 manastire. Në manastire figuronin të regjistruara 500 krerë bagëti deri më 1 janar të vitit 1967.
Top Channel