Ky është mbishkrimi që u zbulua verën e vitit 1951 në kishën e shën Kollit të katundit Shelçan, në krahinën e Shpatit në Elbasan.
Një ekspeditë shkencore në atë kohë, zbuloi mbishkrimin që gjendet mbi faqen e murit verior të kishës në pjesën e brendshme. Mbishkrimi ishte i pikturuar me gërma bizantine të mëdha e të zeza.
Gjatë punës së saj, ekspedita zbuloi edhe dy mbishkrime të tjera të Onufrit në Kishën E Shën E Premtes, në katundin Valesh, në Shpat të Elbasanit. Mbishkrimet mbajnë datën e pikturimit vitin 1554. Më vonë u zbuluan edhe piktura të tjera, me mbishkrimet e tij, të cilat datonin vite më herët, në vitin 1535.
Pikturat e Onufrit u studiuan nga shkencëtarë francezë për tu identifikuar prej tyre si unike. Krejt të veçanta padyshim është “e kuqja e Onufurit”. Kështu e quajtën dhe kështu ka mbetur, unike, në të gjitha kohët e rrymat e artit.
Kisha në të cilën u zbulua afresku i parë i Onufrit është edhe sot në fshatin Shelçan. Është në gjendje të mjerueshme. Institucionet shqiptare të këtyre 33 viteve, nuk kanë qenë të interesuara për këtë monument kulture me rëndësi të madhe, që lidhet me këtë personalitet që na bën krenar në gjithë botën.
“U deshën 33 vite që të mundësohej ndërtimi çatisë së kësaj kishe, ndërsa për restaurimin duket se do të presin më shumë se sa kaq”, u shpreh At Pali Qosja, ish-drejtues i Komitetit Shtetëror të Kulteve.
Kjo kishe bashkë me të gjitha të tjerat në territorin e Shqipërisë ishin dikur pronë e kishës ortodokse. Deri në vitin 1967, ishin qindra objekte të kultit apo prona të kategorive të ndryshme, në pronësi të komuniteteve fetare në të gjithë Shqipërinë, ortodoksë, katolikë, mysliman e bektashinj.
Me rënien e sistemit komunist, gjatë pluralizmit, shpesh është përfituar nga historia e krimit që ndodhi në vitin 1967 me pronat e klerit. Grupe të strukturuara, kanë abuzuar duke mashtruar dhe falsifikuar ne emër të besimit. Një seri veprimesh dokumentare në institucione, kanë prodhuar sot konflikte të shumta pronash që kanë krijuar mbivendosje me tokat e klerit.
Në raste të caktuara, grupe të fortësh, janë futur në lojë duke pretenduar rikthimin e pronave të sekuestruara në vitin 1967, por, në të vërtetë, pronat nuk kanë shkuar te i zoti.
Top Channel