Kreu i SPAK, Altin Dumani u takua këtë të mërkurë me ambasadorët e BE-së për të prezantuar punën e institucionit që drejton.
Në një postim në rrjetet sociale pas takimi, ambasada gjermane vlerëson punën e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion dhe punën e Dumanit, së bashku me ekipin.
“Ditën e sotme, Altin Dumani, kreu i Prokurorisë së Posaçme SPAK, prezantoi punën e tij para ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së në Europe House. SPAK është pjesë e pazëvendësueshme e reformave në drejtësi dhe tashmë ka treguar sukses të madh në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ne e përgëzojmë Altin Dumanin dhe ekipin e tij për këto arritje dhe do të vazhdojmë ta mbështesim më tej punën e tij”.
Edhe ambasadori i Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato, shprehu mbështetjen për punën e SPAK në përballjen me korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri. Në një postim në “X”, Gonzato, theksoi se reforma në drejtësi mbetet kyç në rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.
“BE-ja mbështet përpjekjet e SPAK-ut për të trajtuar korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar në Shqipëri. Në takimin e shefave të misioneve të BE-së në Tiranë, kryeprokurori i posaçëm i SPAK-ut Altin Dumani ndau me ne arritjet e institucionit. Diskutuam mënyrat për të ndihmuar SPAK-un në përmbushjen tejkalimin e sfidave me të cilat përballet. Konsolidimi i reformës në drejtësi mbetet kyç në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE”.
Top Channel