Minus 30 gradë celsius, SHBA bllokohet nga ngricat! Anulohen fluturime e mbyllen shkolla

16/01/2024 12:28

I ftohti polar tashmë është ulur këmbëkryq në disa pjesë të SHBA-së.

Erëra të acarta janë përplasur në shumë rajone të vendit ku termometri ka arritur të shënojë deri minus 30 gradë celsius. 110.000 shtëpi dhe biznese mbetën pa energji elektrike, shumica në Oregon, ku ka pasur ndërprerje masive të energjisë elektrike që prej ditës së shtunë. Autoritetet i kanë bërë thirrje banorëve që t” shmangin udhëtimet, pasi që rrugët pritet të bëhen të rrezikshme nga shtresat e akullit, por edhe mund të ketë rrëzime të pemëve dhe të shtyllave elektrike.

Shkollat janë mbyllur në Portland dhe në qytete të tjera të mëdha si Çikago, Denver, Dallas dhe Fort Uorth. Kushtet e ashpra atmosferike kanë prekur edhe trafikun ajror, duke sjellë pezullimin e një numri të madh fluturimesh, duke ndikuar tek pjesëmarresja e votuesve tek zgjedhjet paraprake në Iowa e duke shkaktuar edhe disa raste vdekjesh anembanë vendit.

Katër janë viktimat në Portand, dy nga të cilat mendohet se ndërruan jetë nga hipotermia. Një burrë vdiq nga rrëzimi i një peme mbi banesën e tij. Në Uiskonsin, autoritetet po hetojnë vdekjen e tre të pastrehëve, të cilët gjithashtu mendohet të kenë vdekur nga i ftohti. Reshje të dendura shiu dhe dëbore parashikohen të përplasen gjatë ditës së sotme në të gjithë juglindjen e vendit. Ndërkaq, në Misisipi të hënën mbrëma temperaturat ranë nën minus 12 gradë celsius.

Për shkak të motit të ftohtë, FlightAware, që gjurmon fluturimet, tha se rreth 2.900 fluturime janë anuluar të hënën në SHBA. Temperaturat pritet të ngritën në mesin e javës, por erëra të ftohta janë parashikuar në jug gjatë fundit të javës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA