Irani ka ndërmarrë një sulm me raketa ndaj atyre që i përshkroi si “qendra spiunazhi” të Izraelit në rajonin gjysmëautonom të Kurdistanit në Irak dhe ndaj forcave të Shtetit Islamik në Siri.
Në një deklaratë të lëshuar nga Garda Revolucionare iraniane nënvizohet se “raketa balistike janë përdorur për shkatërrimin e qendrave të lidhura sipas saj me agjencinë izraelite të zbulimit, Mossad, si dhe me grumbullimin e atyre që i përshkruan si njësi terroriste anti-iraniane në rajon”. Sulmet kanë ndodhur në verilindje të kryeqytetit të Kurdistanit, Irbilit, shumë pranë një zone të banuar në afërsi të konsullatës amerikane.
Megjithatë, nga sa pohuan për Reuters dy zyrtarë amerikanë, ato nuk kanë dëmtuar asnjë objekt të SHBA-së atje. Pavarësisht kësaj, sulmet në vetvete përbëjnë shqetësim të madh, sidomos për faktin që vijnë në një kohë kur rreziku i përhapjes së konfliktit në Lindjen e Mesme është mëse real. Tensionet janë përshkallëzuar që tepërmi me nisjen e luftës mes Izraelit dhe grupit militant Hamas pas sulmit të këtij të fundit në 7 tetor, dhe nuk janë të pakta gjasat që në konflikt të përfshihen dhe aleatë të Iranit në vende të ndryshme si Libani, Siria, Iraku dhe Jemeni.
Nga sulmet në Irbil humbën jetën 4 civilë. Sipas burimeve nga shërbimet irakiane të sigurisë dhe të mjekësisë, në mesin e viktimave nga të paktën një raketë që goditi shtëpinë e tyre, ishte edhe milioneri kurd dhe sipërmarrësi Peshraw Dizayee dhe disa anëtarë të familjes së tij.
Top Channel