“Drejtues të lartë në polici e ministri, në përgjimet e SKY”/ gazetari Koka: Për t’i ikur përgjegjësisë…

16/01/2024 19:20

Përgjimet e botës së krimit në SKY ECC apo Encro Chat, kanë vënë në lëvizje edhe strukturat Policisë së Shtetit, ku efektivët iu nënshtruan një formulari.

Sipas ministrisë së Brendshme, kush rezulton përdorues i këtyre aplikacioneve do të përjashtohet, por për gazetarin Spartak Koka, vendimi është i pabazuar në ligj.

Në një lidhje direkte në “Breaking” në Top News, Koka tha se nuk përbën vepër penale përdorimi i Sky ecc, por komunikimi me grupet kriminale apo përfshirja në krim. Koka tha se këto vendimmarrje janë për tu ikur përgjegjësive, sepse ka drejtues të lartë të përfshirë të cilët duhet të japin llogari.

Përdorimi i Sky teorikisht nuk bën vepër penale, por komunikimi me grupe kriminale, përfshirja e efektivëve të policisë në krime si vrasja, trafiku i lëndëve narkotike apo ushtrimi i ndikimit të paligjshëm, apo nxjerrja në pritë e grupeve rivale dhe shërbimi ndaj këtyre grupeve, kjo po që është shqetësuese. Por jo çdo njeri që ka përdorur këto aplikacione duhet të penalizohet, sepse nuk kanë qenë të ndaluara për përdorim.

Është tentativë populiste për të krijuar imazhin se ne do të përjashtojmë këdo dhe përbaltur çdo efektiv i cili mund ti ketë përdorur edhe për qëllime të tjera. Ministri i Brendshëm nuk e di ku e ka bazuar këtë lloj vendimmarrje që çdo person që i ka përdorur të përjashtohet nga policia. Nesër i bie do zbërthehen aplikacione të tjera, i bie të përjashtohen. Si do ta verifikojë ministria dhe Policia e Shtetit nëse e ka përdorur aplikacionin apo jo.

Kjo është t’i vendosësh punonjësit e policisë në një situatë të vështirë. Na mungon një analizë dhe një mbajtje përgjegjësi sesi ka mundësi që këta drejtues të lartë të policisë, shefa komisariatesh apo shefa krimesh, që janë graduar edhe certifikuar për punë të mirë të dalluar në shërbim të rendit, na rezultokan të përfshirë në krimin e organizuar, në vend të ketë një mbajtje përgjegjësie nga këta drejtues ministrish apo policisë, na dilet me këto vendimmarrje për t’i ikur përgjegjësisë“-tha Koka.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA