Grupi Parlamentar i PS-së është duke analizuar pamjet e seancës plenare të së hënës për të identifikuar kush e futi zhurmuesin në Kuvend.
Bazuar në pamjet filmike do të vendoset për propozim ndëshkimi në Këshillin e Etikës dhe të Mandateve.
Në të parën seancë plenare për 2024, deputetët e Rithemelimit në Parlament ndryshuan strategji. Ata nuk u përfshinë në ndezjen e flakadanëve, por arritën të prodhojnë një zhurmë konstante në sallë.
Mos përdorimi flakadanëve shihet si një vetëfrenim nga opozita në mosmarrjen e ndëshkimeve të forta deri në 60 ditë përjashtim, sipas ndryshimit të rregullores së Parlamentit. Me doza të forta ironie socialisti Erion Braçe nga brenda sallës së parlamentit e komentoi zhurmën si: “Çajkovski në Parlamentin e Shqipërisë.”
Sipas tij, kjo është “zhurma e një opozite që urren Parlamentin”. Më tej, Erion Braçe në koment u shpreh se: “Prej dy muajsh FJALËN se lë ZHURMA dhe ka veç një kusht: Ose qani e vajtoni për Salih Berishën, ose nuk ju lëmë të flisni”.
Top Channel