NGA ARDI PULAJ

Tajvani prej dekadash përballet me kërcënimin e vazhdueshëm ushtarak të Kinës për ribashkim dhe në vazhdimësi përshkruhet nga makina propagandistike kineze si një krijues problemesh, i aftë për të destabilizuar rajonin e Indo-Paqësorit ose për ta mërzitur Kinën me gjithçka që Tajvani bën, për ekzistencën e tij. Është fakt i ditur se pavarësia e Tajvanit, qoftë një thirrje politike apo një realitet objektiv, është provokuese për Partinë Komuniste Kineze (PKK) dhe presidentin Xi Jinping. Zyrtarët dhe komentatorët në Pekin i referohen shpesh “vullnetit të 1.4 miliardë kinezëve”, kur flasin për misionin historik të PKK për tu bashkuar me Tajvanin, qoftë dhe me luftë.

Pa përgjigje për momentin mbetet pyetja nëse populli kinez, nën një regjim të imponuar dhe që nuk është zgjedhur nga votuesit, mund të ndikojë vërtet në procesin e vendimmarrjes politike, veçanërisht në çështjen delikate të pushtimit të Tajvanit. Sondazhi nga “Gazeta e Kinës Kontemporane”, ofron disa shifra. Rreth 55 për qind e të anketuarve kinezë mbështesin bashkimin e Tajvanit me luftë nga Pekini, kurse 1 për qind thonë që lufta duhet të ndodhë tani.

Por a do ta sulmojë Kina Tajvanin?

Janë disa faktorë që duhen marrë parasysh. Rënia e ekonomisë kineze, me elementë negativë si kriza e në tregut e pasurive të paluajtshme, borxhi i keq dhe rritja e ngadaltë, mund të mos shkaktojë menjëherë trazira dhe pakënaqësi te populli kinez, por mund të sfidojë kontrollin e brendshëm të PKK. Me ekonominë e përkeqësuar, shpenzimet e Pekinit për ruajtjen e stabilitetit të brendshëm pritet të rriten, sepse Kinës i duhet më shumë fuqi për të shtypur pakënaqësitë brenda kufijve. Pra, Kinës do t’i duhet të merret me problemet brenda vendit dhe jo me sulmimin e Tajvanit, nëse e thjeshtëzon çështjen. Presidentit Xi gjithashtu do t’i duhet të merret me çështje shqetësuese më të ngutshme, përveç ekonomisë së dobët dhe trazirave të mundshme në vend, që përfshijnë menaxhimin e marrëdhënieve Kinë-SHBA, sidomos në prag të zgjedhjeve presidenciale amerikane të 2024-ës. Dhe ky duket të jetë një argument bindës, pasi duhet parasysh garancia që Xi i dha homologut amerikan Joe Biden se ai nuk ka plane për të sulmuar Tajvanin deri në vitin 2027 ose në 2035-ën.

Por Pekini është para një fakti të kryer. Pavarësisht se u mundua që të ndërhynte në zgjedhjet presidenciale tajvaneze, duke bërë thirrje që mos votohej kandidati pro-pavarësisë, William Lai Ching-te, ky i fundit triumfoi më 13 janar. Duke i siguruar mbajtjen e këtij funksioni drejtues Partisë Demokratike Progresive (PDP) të presidentes në largim Tsai Ing-wen, ku aktualisht është zëvendësi i saj, 64-vjeçari Lai, nuk e ndërpreu gjatë fushatës retorikën pro-pavarësisë. Ai përsëriti disa herë në mitingjet elektorale se do të vazhdojë rrugën e Tsait në marrëdhëniet me Kinën kontinentale dhe se do të ruante statuskuonë, duke mbrojtur Tajvanin. Deklaratat e tij se “Tajvani është aktualisht një komb i pavarur dhe sovran i quajtur Republika e Kinës, ndaj nuk ka nevojë të shpallet edhe një herë pavarësia”, prodhoi kritikat e menjëhershme të Pekinit. Kina nuk e do fare Lain, duke e quajtur atë “avokat i pavarësisë së Tajvanit”, që autoritetet kineze e konsiderojnë ishull të vetin dhe që shumë shpejt do bashkohet me të.

Me fitoren e Lait, që Kina e quan një person që krijon probleme dhe separatist, Pekini ka pak gjasa të pranojë të dialogojë me presidentin e ri. Palët nuk kanë pasur komunikim zyrtar që nga viti 2016 kur Kina u acarua nga refuzimi i Tsait për të pranuar se Tajvani ishte pjesë e Kinës kontinentale. Fitorja e Lait gjithashtu do të mbajë të tensionuar situatën në Ngushticën e Tajvanit, ku shpesh shfaqen anije e avionë ushtarakë kinezë. Pekinit ende nuk i ka dalë inati nga vizita e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Nancy Pelosi në 2022, që me masat që mori bëri që Tajpei ta akuzonte Pekinin se po izolonte ishullin.

Në Tajvan, presidenti i ri William Lai Ching-te ka premtuar më shumë fonde për mbrotjen, vijimin e ndërtimit të nëndetëseve dhe të bashkëpunojë edhe më ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Japoninë dhe Europën. Të gjitha këto janë tema që për Pekinin konsiderohen si një thikë e ngulur pas shpine dhe që qëllimisht rrotullohet në mish. Por gjithsesi, nëse thirrjet pro-pavarësisë së Tajvanit nga Lai apo politikat e tij do të sjellin ndërhyrjen ushtarake të Kinës, mbetet për tu parë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA